Turqia megjithatë është tërhequr nga synimi për të detyruar restorantet që shërbejnë doner në Bashkimin Evropian t’u përmbahen rregullave të rrepta për përgatitjen e këtij ushqimi.
Qëllimi i këtij shteti ishte të fuste etiketën “Specialitet tradicional i garantuar” dhe, po të kishte arritur në këtë, do të vendoseshin kufizime lidhur me përbërësit që përdoren për përgatitjen e donerit. Kjo do të ndikonte veçanërisht industrinë gjermane të kebabit, pasi në Gjermani kjo industri është mjaft ndryshe nga ajo në Turqi.
Autoritetet në Turqi konsiderojnë se doneri duhet të trajtohet si ushqim kombëtar i tyre që u përhap nëpër Evropë me migrimin e popullsisë turke. Nga ana tjetër, autoritetet në Gjermani mendojnë se doneri është bërë pjesë e kuzhinës së tyre kombëtare.
Bëhet fjalë për një ushqim nga shekulli XVI dhe sipas Federatës Ndërkombëtare të Donerit (Udofed), me qendër në Turqi, emri i tij lidhet me mënyrën e përgatitjes. Kjo federatë i kërkoi Bashkimit Evropian të vendosë rregulla unike për donerin, ndër të cilat ishin:
-
Që mishi të mund të jetë nga lopë mbi 16 muaj, qengja mbi gjashtë muaj si dhe nga kofshët e gjoksët e pulës;
-
Që mishi i viçit dhe i gjelit të detit të mos lejohet të përdoret;
-
Që mishi të pritet në feta me trashësi ndërmjet tre dhe pesë milimetrash;
-
Që të përdoret një lloj i veçantë thike, si edhe marinadë specifike.
Në Gjermani, për përgatitjen e donerit shpesh përdoret viçi, salca dhe perimet në pogaçe, ku me perime kuptohen lakra e kuqe, kastraveci turshi dhe qepa e kuqe. Ai konsiderohet si version evropian i donerit turk. Udofed-i turk gjatë përcaktimit të rregullave për përgatitjen e donerit në gjithë Evropën nuk u konsultua me industrinë gjermane të kebabit, e cila reagoi me mbështetjen e qeverisë.
Nga Ministria e Ushqimit dhe Bujqësisë e Gjermanisë vitin e kaluar i thanë BBC-së se kërkesat turke i kishin pranuar me habi. Ish-ministri gjerman për ushqim dhe bujqësi, Cem Özdemir, me origjinë turke, deklaroi se secili duhet të vendosë vetë si ta përgatisë donerin dhe se nuk ka nevojë për rregulla nga Ankaraja.
“Doneri i përket Gjermanisë”, theksoi Özdemir.
Po të kishin arritur turqit në synimin e tyre, kjo do të ndikonte industrinë në mbarë Kontinentin e Vjetër, e dominuar nga diaspora turke. Vetëm në Gjermani jetojnë mbi 1,5 milion turq dhe pothuajse po aq njerëz me origjinë turke.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve Turq të Donerit në Evropë (ATDID), në këtë industri janë të punësuar 60 mijë persona që prodhojnë 400 tonë doner në ditë. Shitjet vjetore arrijnë në 3,5 miliardë euro në mbarë Kontinentin e Vjetër, prej të cilave 2,4 miliardë euro vetëm në Gjermani, shkruan BBC.