Turqia kritikon vrasjen e afganëve nga forcat australiane

“Vrasja e qëllimshme e të paktën 39 civilëve afganë nga pjesëtarët e ushtrisë australiane është barbarizëm modern”, tha zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalın.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın kritikoi vrasjen e të paktën 39 civilëve afganë nga forcat australiane, një fakt që u zbulua në raportin e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ky është barbarizëm modern. Është kuptuar se 39 civilë të zënë rob u vranë qëllimisht në Afganistan në mënyrë që rekrutët e ushtrisë australiane të mësoheshin për vrasje”, shkroi sot Kalın në Twitter.

Në vend priten protesta të gjëra në ditët në vijim ndërsa detajet e raportit arrijnë në publik përmes mediave lokale.

Autoritetet australiane më në fund publikuan detajet e hetimeve, për të paktën 39 incidente të vrasjeve civile nga forcat e tyre speciale në Afganistan.

Shefi i Forcave të Mbrojtjes Australiane, gjenerali Angus Campbell kërkoi falje nga afganët ndërsa ndau detajet e tmerrshme të hetimeve.

“Për popullin e Afganistanit, në emër të Forcave Australiane të Mbrojtjes, unë sinqerisht dhe pa rezerva kërkoj falje për çdo keqbërje nga ushtarët australianë. Unë kam folur direkt me homologun tim afgan, gjeneralin (Yaseen) Zia, për të përcjellë këtë mesazh”, tha ai në një fjalim televiziv.

“Një sjellje e tillë e pretenduar, thellësisht tregon mosrespektimin e besimit të dhënë për forcat australiane nga populli i Afganistanit, në një kohë kur ata kishin kërkuar ndihmën tonë”, tha Campbell.

Duke mirëpritur pranimin publik të krimit, angazhimin për drejtësi dhe kompensimin për viktimat, Ministria e Jashtme afgane e quajti vrasjen e civilëve si “të pafalshme”.

Ndërkohë, pallati presidencial afgan në Kabul në një deklaratë tha se presidenti, Mohammed Ashraf Ghani pranoi një telefonatë nga kryeministri australian, Scott Morrison në lidhje me këtë.

“Gjatë kësaj telefonate, kryeministri i Australisë shprehu hidhërimin e tij më të thellë për sjelljen e keqe nga disa trupa australiane në Afganistan dhe siguroi presidentin e Republikës Islame të Afganistanit për hetimet dhe zbardhjen e drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Kategoritë
BotaLajme