Turqia dënon sulmet izraelite në provincat Quneitra dhe Daraa të Sirisë

Ministria e Jashtme thotë se sulmet izraelite shkelën integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e Sirisë, duke i quajtur ato shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar dhe Marrëveshjes së Mosangazhimit të vitit 1974

Ministria e Jashtme e Turqisë dënoi ashpër sulmet izraelite që shënjestruan provincat siriane Quneitra dhe Daraa, duke thënë se sulmet shkelin integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e Sirisë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të shpërndarë në platformën sociale turke NSosyal, ministria tha se sulmet përbëjnë gjithashtu një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe të Marrëveshjes së Mosangazhimit të vitit 1974.

“I dënojmë fuqishëm sulmet e Izraelit ndaj Quneitra dhe Daraa, të cilat shkelin integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e Sirisë. Këto sulme, të cilat shpërfillin sigurinë e popullit sirian dhe pronën e tyre dhe përkeqësojnë jetën e civilëve në rajon, përbëjnë shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe të Marrëveshjes së Mosangazhimit të vitit 1974”, thuhet në deklaratë.

Ministria gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të përmbushë përgjegjësitë e tij për të ndalur sulmet që synojnë progresin e Sirisë që nga dhjetori 2024 dhe që minojnë stabilitetin rajonal.

Kategoritë
BotaLajme