Turqi: Mbi 13.500 persona u lënduan ditën e parë të Kurban Bajramit gjatë therjes së kurbaneve

Ministri turk i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, njoftoi se më 27 maj 2026 gjithsej 13.513 persona iu drejtuan institucioneve shëndetësore për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë therjes së kurbaneve në ditën e parë të Kurban Bajramit.

Memişoğlu e publikoi këtë informacion në llogarinë e tij në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë më shumë kujdes gjatë gjithë procesit.

“Në ditën e parë të Kurban Bajramit, gjithsej 13.513 persona iu drejtuan institucioneve tona shëndetësore për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë therjes së kurbaneve”, shkroi ai.

Në të njëjtin postim, ai u bëri thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm dhe falënderoi personelin shëndetësor që ishte i angazhuar gjatë kujdestarive festive.

“U bëjmë thirrje qytetarëve tanë që të jenë më të kujdesshëm gjatë gjithë procesit dhe u dëshirojmë shërim sa më të shpejtë vëllezërve dhe motrave tona të lënduara. Falënderoj sinqerisht të gjithë punonjësit tanë shëndetësorë që punuan me përkushtim gjatë kujdestarive të festës”, tha Memişoğlu.

Kategoritë
BotaLajme