– Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit nisi menjëherë hetimin pas publikimit të fundit të karikaturave nga revista satirike, të cilat u konsideruan thellësisht fyese për vlerat fetare
Katër persona janë arrestuar në Turqi në kuadër të një hetimi të vazhdueshëm për publikimin e karikaturave kontroverse që portretizojnë Profetin Muhammed dhe Profetin Musa në revistën Leman, transmeton Anadolu.
Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit nisi menjëherë hetimin pas publikimit të fundit të karikaturave nga revista satirike, të cilat u konsideruan thellësisht fyese për vlerat fetare.
Karikatura, e paraqitur në numrin e 26 qershorit të revistës satirike Leman, aludonte në konfliktin e fundit Izrael-Iran dhe portretizonte Profetin Muhamed dhe Profetin Musa duke shtrënguar duart mbi një qytet të shkatërruar.
Të ndaluarit përfshijnë kryeredaktorin e revistës Leman, Zafer Aknar, dizajnerin grafik, Cebrail Okcu, karikaturistin Dogan Pehlevan dhe drejtorin e institucionit, Ali Yavuz. Ata janë dërguar në gjykatë me akuzat për “fyerje publike të vlerave fetare” dhe “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë në publik”.
Prokuria gjithashtu ngriti akuza kundër Pehlevanit për “fyerje të presidentit”, së bashku me “nxitje të urrejtjes”, ndërsa Aknar, Okcu dhe Yavuz përballen me akuza të ngjashme që lidhen me përhapjen e armiqësisë dhe poshtërimit.
Tradita islame ndalon rreptësisht përfaqësimet vizuale të profetëve, përfshirë Profetin Muhammed dhe Profetin Musa, i cili gjithashtu nderohet në judaizëm dhe krishtërim.
Në përgjigje, protestuesit u mblodhën jashtë zyrës së revistës Leman në Stamboll, duke reflektuar kërkesën e fortë shoqërore për mbrojtjen e respektit dhe unitetit fetar.