Trupi i maqedonasit që u zhduk në vitin 2003 u gjet i murosur në një shtëpi në Bruksel

Skeleti i gjetur korrikun e kaluar në bodrumin e një shtëpie në komunën Forest të Brukselit është identifikuar si Redžep Rahmanovski, shtetas i Maqedonisë së Veriut që ishte zhdukur në vitin 2003, njoftoi Policia Federale.

Mbetjet njerëzore u zbuluan më 16 korrik të vitit të kaluar nga punëtorët gjatë punimeve të renovimit të një shtëpie në rrugën Rue Caporal Trésignies. Pas zbulimit, Prokuroria e Brukselit hapi menjëherë hetim dhe angazhoi ekspertë të mjekësisë ligjore, laboratorin e policisë federale dhe specialistë për identifikimin e viktimave. Në proces u përfshi edhe një antropolog.

Pas analizave u konfirmua se bëhej fjalë për Redžep Rahmanovskin, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i lindur më 25 korrik 1976. Ai ishte parë për herë të fundit natën e 16 korrikut 2003, duke u larguar nga vendi i tij i punës në një restorant në zonën Rue du Marché aux Fromages në Bruksel. Pas kësaj, u raportua si i zhdukur.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë atyre që kanë informacion për Redžep Rahmanovskin ose zhdukjen e tij që të paraqiten. Në njoftimin e policisë thuhet se “konfidencialiteti do të garantohet”.

Policia bëri të ditur gjithashtu se, bazuar në gjetjet forenzike, është lëshuar urdhër për kontroll të shtëpisë, me qëllim që të merren më shumë informacione rreth asaj që i ka ndodhur viktimës.

Kategoritë
LajmeRajoni