Trupi i gazetarit amerikan Austin Tice, i cili prej 13 vitesh konsiderohej i zhdukur, është gjetur në një varrezë në veri të Sirisë, kanë thënë burime për Sky News Arabia të dielën.
Sipas FBI-së, Tice ishte rrëmbyer në Damask në gusht të vitit 2012. Ai ishte gazetar dhe fotograf i pavarur që punonte për disa agjenci lajmesh, përfshirë edhe CBS-in.
Në fillim të majit, nëna e tij deklaroi se qeveria amerikane e di se ku ndodhet djali i saj, raportoi The Washington Post.
Të shtunën, Reuters, duke iu referuar dy burimeve, raportoi se një mision katarez kishte nisur kërkimin për mbetjet mortore të pengjeve amerikane.
“Grupi ndërkombëtar katarez për kërkim dhe shpëtim e ka nisur kërkimin të mërkurën, i shoqëruar nga disa amerikanë,” thanë burimet.
SHBA besonin se Tice mbahej nga regjimi i Assadit, por ish-udhëheqësi sirian kurrë nuk e ka pranuar se e kishte ndaluar atë.