Presidenti amerikan Donald Trump ka hequr sanksionet ndaj disa kompanive dhe bankave ruse, përfshirë Rosoboronexport, eksportuesin zyrtar shtetëror të armëve të Rusisë dhe institucioni i vetëm i autorizuar për eksportin e pajisjeve ushtarake dhe të dyfishta (ushtarako-civile).
Ky veprim erdhi menjëherë pasi më 1 korrik ai hoqi sanksionet ndaj Sirisë, dhe, sipas The Moscow Times, administrata amerikane hoqi nga lista e sanksioneve disa institucione, banka dhe individë rusë, disa prej të cilëve ishin të lidhur me regjimin e mëparshëm sirian, por jo të gjithë.
Kush u hoq nga lista e sanksioneve?
Midis tyre është edhe Kirsan Iljumzhinov, ish-president i Federatës Botërore të Shahut (FIDE) dhe ish-lider i Republikës ruse të Kalmikisë. Ai iu nënshtrua sanksioneve amerikane në 2015 për mbështetjen ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad, dhe pasuritë e tij në SHBA u bllokuan.
Sipas të njëjtit burim, nga lista e sanksioneve u hoqën edhe:
- Russian Financial Alliance Bank, në pronësi të Iljumzhinovit
- Tempbank, banka pa licencë nga Banka Qendrore Ruse që nga 2017
- Mir Business Bank, e lidhur me Bank Melli Iran
- RFK Bank (Russian Financial Corporation), bankë shtetërore ruse
- Promsyreimport, kompani shtetërore
- Kompani të lidhura me Rusinë: Global Concepts Group, STG Logistic, Global Vision Group, Maritime Assistance
- Rosoboronexport, eksportues shtetëror i armëve ruse
Iljumzhinov, raporton The Moscow Times, shprehu gatishmërinë të takohet me Trumpin për t’i falënderuar dhe për të luajtur një parti shah; në artikull përmendet ekscentriciteti i tij — në 1997 ai pretendoi se ishte rrëmbyer nga jashtëtokësorët, por kjo nuk e pengoi të bëhej biznesmen i suksesshëm, politikan dhe zyrtar shahist.
SHBA ndaloi po të njëjtën ditë furnizimet ushtarake për Ukrainën
Po ashtu sot, Amerika ndaloi dërgesat e armëve kyçe për Ukrainën, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore që kanë qenë jetike për Kievin muajt e fundit përballë sulmeve të intensifikuara ruse nga ajri.
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi një ndalim të përkohshëm të dërgesave të raketave dhe municionit derisa të rishikohen rezervat, një proces i nisur pas viteve të ndihmës ushtarake për Ukrainën, por edhe për shkak të operacioneve ushtarake të SHBA në Lindjen e Mesme — përfshirë mbrojtjen e Izraelit dhe luftën kundër Houthive në Jemen, sipas NBC.
Kjo vendim merret në një moment kritik — vetëm disa ditë pas një nga sulmet ajrore më të rënda që Ukraina pësoi që nga fillimi i luftës. Sipas Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, atë herë Rusia lëshoi 60 raketa dhe 477 dronë.
Mediat amerikane raportojnë se rezervat e pajisjeve ushtarake janë në nivele të rrezikshëm të ulëta, dhe Pentagoni po rishikon qëndrueshmërinë afatgjatë të ndihmës për Ukrainën.