



Komentet e Trumpit vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme, pas muajsh përplasjesh që kanë përfshirë Izraelin, Hezbollah dhe Iranin.
Duke folur për mbështetjen amerikane ndaj Izraelit dhe armëpushimin e brishtë pas konfliktit të fundit me Iranin, Trump pretendoi se ndihma ushtarake amerikane ka qenë vendimtare për sigurinë e Izraelit dhe nënvizoi ndikimin që SHBA-ja ka ndaj aleatit të saj.
“Po të mos ishte Donald Trumpi, Izraeli do të ishte shkatërruar”, tha Trump në një intervistë për gazetarin e Axiosit, Mark Caputo, sipas CNBC.
Duke iu referuar Netanyahut, ai shtoi se i është dashur ta mbajë liderin izraelit “më të arsyeshëm” dhe kujtoi se SHBA-ja i ka siguruar Izraelit kapacitete ushtarake, përfshirë bombarduesit B-2.
I pyetur nëse mund ta pengojë Izraelin që të ndërmarrë sulme të tjera kundër Hezbollahut në Liban, të cilat mund të rrezikojnë marrëveshjen paraprake të paqes me Iranin, Trump u shpreh i bindur.
“Ata kanë shumë respekt për mua dhe bëjnë atë që u them”, deklaroi ai, sipas New York Post.
Komentet e fundit të presidentit amerikan nxorën në pah edhe raportet e tensionuara mes tij dhe Netanyahut, pavarësisht viteve të bashkëpunimit të ngushtë.
Gjatë samitit të G7 më herët këtë javë, Trump sugjeroi se Netanyahu duhet të ndjekë një “qasje më të butë” në Liban dhe shprehu pakënaqësi për shkallën e sulmeve izraelite.
Tensionet u bënë publike edhe më herët këtë muaj, kur Trump konfirmoi raportimet për një bisedë të ashpër telefonike me Netanyahun pas sulmeve izraelite ndaj objektivave të Hezbollahut në jug të Libanit. Sipas Reuters, Trump pranoi se kishte përdorur fjalë të forta dhe se gjatë bisedës e kishte quajtur liderin izraelit “të çmendur”.