Trump premtoi se SHBA do të “kujdeset” për Gazën dhe pranoi se palestinezët po vuajnë nga uria

Donald Trump deklaroi të premten se SHBA do të “kujdeset” për situatën në Gaza, duke u thënë gazetarëve se njerëzit në territorin palestinez të bllokuar po vuajnë nga uria.

“Po e shikojmë Gazën dhe do të kujdesemi për këtë. Shumë njerëz po vuajnë nga uria”, tha presidenti para gazetarëve.

Këto komente të shkurtra erdhën pas përfundimit të etapës së fundit të turneut disa ditor të Trumpit në vendet e Gjirit Persik.

Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës për më shumë se dy muaj, gjë që ka shtyrë agjencitë e OKB-së dhe organizatat humanitare të paralajmërojnë për mungesë të karburantit dhe barnave në territorin ku jetojnë 2.4 milionë palestinezë.

Izraeli ka mohuar në mënyrë të përsëritur se në Rripin e Gazës ekziston një krizë humanitare, pavarësisht nga gjendja e rëndë e shkaktuar nga bllokada e tij.

Deklaratat e Trumpit u bënë një ditë pasi sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, shprehu gatishmërinë për propozime të reja për dërgimin e ndihmave në Gaza, pas kritikave të shumta ndaj planit të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

Rubio gjithashtu shprehu shqetësim për situatën humanitare në këtë territor.

Trump gjithashtu deklaroi të enjten se planifikon ta kthejë Gazën në një territor nën kontrollin e SHBA-së dhe ta shpallë atë si “Zonë Lirie”.

Kategoritë
BotaLajme