Gati 20 mijë japonezë kanë nënshkruar një peticion të nisur si reagim ndaj një postimi në rrjetet sociale nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ku ai paraqitej si personazhi i njohur anime Naruto Uzumaki
Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me reagime për përdorimin pa autorizim të imazheve të personazheve të njohura anime, transmeton Anadolu.
Gati 20 mijë japonezë kanë nënshkruar një peticion të nisur si reagim ndaj një postimi në rrjetet sociale nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ku ai paraqitej si personazhi i njohur anime Naruto Uzumaki.
Trump publikoi më 6 qershor në platformën e tij Truth Social një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitej si Naruto, protagonisti i serialit të njohur manga dhe anime Naruto. Postimi shkaktoi kritika në Japoni.
Sipas agjencisë Jiji Press, fansat e Narutos në rrjetet sociale shprehën zemërim, duke argumentuar se imazhi i personazhit ishte përdorur pa leje.
Përveç postimit të Trumpit, kritikët kanë përmendur edhe një incident të marsit, kur Shtëpia e Bardhë përdori imazhe nga animeja e njohur Yu-Gi-Oh! në një video lidhur me sulmet ndaj Iranit, e publikuar në platformën sociale amerikane X.
Në një deklaratë të marsit të publikuar nga llogaria zyrtare e Yu-Gi-Oh! në X thuhej se : krijuesit origjinalë dhe stafi i animes nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë mënyrë dhe nuk është dhënë asnjë leje për përdorimin e pronësisë intelektuale në fjalë”.
– Gati 20 mijë nënshkrime
Të martën, në platformën Change.org u lançua një peticion me titull “Mbroni mangat japoneze”, për të protestuar kundër postimit të Trumpit lidhur me Naruton.
Deklarata e peticionit rikujtonte se një fushatë e ngjashme ishte organizuar në mars për të kundërshtuar përdorimin e përmbajtjes së Yu-Gi-Oh! nga Shtëpia e Bardhë.
Organizatorët thanë se pas postimit të Trumpit peticioni u riaktivizua për të protestuar kundër përdorimeve të tilla dhe për të përcjellë shqetësimet te mbajtësit e të drejtave të autorit dhe palët e tjera të interesuara.
Që nga rihapja e tij më 9 qershor, peticioni ka mbledhur gati 20 mijë nënshkrime.
Peticioni gjithashtu thekson se pas incidentit me Yu-Gi-Oh!, u kërkua mbështetje nga anëtarë të parlamentit japonez dhe se detajet e fushatës iu përcollën institucioneve përkatëse qeveritare përmes Zyrës së Kabinetit, përfshirë Ministrinë e Jashtme të Japonisë dhe Agjencinë për Çështje Kulturore.
“Më pas, Ministria e Jashtme i bëri një kërkesë Ambasadës së SHBA-së në Japoni lidhur me përdorimin pa autorizim të Yu-Gi-Oh! dhe lojërave të Nintendos në llogarinë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në X”, thuhej në deklaratë.
“Ky peticion nuk synon të mohojë apo kritikojë veprat e krijuara nga fansat ose shprehjen individuale krijuese, por shpreh shqetësim për mundësinë që pamje ose imazhe nga vepra zyrtare të përdoren në kontekste politike ose ushtarake në mënyra që ndryshojnë nga qëllimet e mbajtësve të të drejtave ose krijuesve”, shtohej në deklaratë.









