Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se po punon mbi një plan të ri ndihme humanitare për Rripin e Gazës, me fokus sigurimin e ushqimit dhe mallrave bazë për civilët që prej muajsh vuajnë nga uria dhe mungesa e ndihmave.
Në një bisedë telefonike të shkurtër për portalin amerikan Axios, Trump deklaroi:
“Duam t’u ndihmojmë njerëzve. Duam t’i mbajmë gjallë. Duam t’i ushqejmë. Kjo duhej bërë prej kohësh.”
Megjithëse shprehu shqetësim për raportet në rritje mbi kequshqyerjen në Gaza, Trump e hodhi përgjegjësinë te Hamasi, duke pretenduar se organizata përvetëson ndihmat që hyjnë në enklavë dhe më pas i rishit.
Administrata Trump është aktive në terren përmes të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff dhe ambasadorit në Izrael, Mike Huckabee. Të dy vizituan të premten qendrat e ndihmave të drejtuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), organizata e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi se Trump planifikon të miratojë planin e ri pasi Witkoff t’i raportojë gjendjen e fushës. Megjithatë, për Axios, Trump pranoi se s’ka marrë ende raportin por e vlerësoi Witkoffin:
“Po bën një punë të shkëlqyer.”
Detajet e planit të ri humanitar nuk janë bërë publike, dhe mbetet e paqartë nëse ndihma do të vazhdojë të kanalizohet përmes GHF-së apo përfshirë edhe rrjete të tjera shpërndarjeje.
Në deklaratat e mëparshme, Trump tha se SHBA do të rrisë sasinë e ndihmave për Gazën, duke shtuar se pret angazhim më të madh edhe nga vendet e tjera perëndimore dhe Izraeli.
Izraeli përballet me presion të fortë ndërkombëtar për kufizimin e hyrjes së ndihmave në Gazë, pasi shumica e ndihmave shpërndahen vetëm përmes GHF-së, që vepron në pjesën jugore dhe qendrore të enklavës. Ky sistem detyron shumë palestinezë të kryejnë udhëtime të rrezikshme për t’u furnizuar me ushqim.
Të enjten, Witkoff u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar ngecjen e bisedimeve për armëpushim dhe shkëmbim të të kapurve. Sipas një zyrtari izraelit, temë diskutimi ishte edhe mundësia e kalimit nga marrëveshjet e pjesshme drejt një armëpushimi të përhershëm.
Trump nuk komentoi këtë mundësi, duke thënë për gazetarët:
“Do ta shihni së shpejti.”
Në rrjetin social X, Witkoff konfirmoi se ai dhe Huckabee kaluan pesë orë në Gaza, takuan përfaqësues të organizatave humanitare dhe vlerësuan situatën në terren:
“Qëllimi i vizitës ishte të siguronte një pamje të qartë për presidentin mbi situatën humanitare dhe të ndihmonte në hartimin e planit për shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmave mjekësore për banorët e Gazës.”