Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas pritjes së gjatë, zyrtarisht nisin zhvillimin e programit të avionit të gjeneratës së gjashtë përmes projektit NGAD, i cili pritet të mbajë emërtimin F-47 – një projekt jashtëzakonisht sfidues.
Fluturimet e regjistruara të avionëve kinezë të gjeneratës së gjashtë në fillim të këtij viti detyruan Pentagonin të shpejtojë veprimet.
Edhe Trump shtoi gaz, duke konfirmuar sot se avioni i ri për dominim ajror do të jetë F-47 i Boeingut.
Ushtria ajrore amerikane prej vitesh përballet me vështirësi në miratimin e programit për avionin e gjeneratës së gjashtë, ndërkohë që ende nuk ka një vendim përfundimtar për tërheqjen zyrtare të F-22 Raptorit. Historia do të regjistrojë se Raptori legjendar do të hyjë në histori si avioni më i avancuar që kurrë nuk u testua në një betejë reale.
Pas këtij avioni mbetet tregimi për një duel stërvitor me avionin francez Rafale, i cili e mposhti atë në dogfight, por edhe për shkatërrimin e një droni të famshëm kinez nga ana e Raptorit.
Ndryshe nga Raptori, avioni i ri do të jetë kompromis mes dy qëndrimeve në Forcat Ajrore të SHBA-së – atyre që duan avionë me pilot dhe atyre që përkrahin platformat e drejtuara nga operatorë në distancë.
Nga ky kompromis ka lindur programi NGAD – programi për një avion të ri për dominim ajror.
Sfidat për projektin
Sipas konceptit të miratuar, për të cilin Trump thotë se është testuar fshehtas për pesë vjet, avioni i ri F-47 do të jetë diçka e papritur.
Detajet janë të pakta, por edhe ilustrimet artistike tregojnë diçka të re – kanardë të montuar në pjesën e përparme të avionit. Instalimi i kanardëve apo stabilizatorëve horizontalë deri më tani nuk ka qenë i zakonshëm në aviacionin ushtarak amerikan.
Këto sipërfaqe të manovrimit të vendosura përpara, të lakuara në kënd, janë më të zakonshme te gjuajtësit evropianë, të cilët për shkak të tyre kanë aftësi më të mira manovrimi.
Megjithatë, nëse kanardët rrisin aftësinë manovruese, kufizimet financiare dhe zgjedhja e Boeingut si kontraktor mund të sjellin rreziqe shtesë. Edhe pse Trump pritet të nënshkruajë një dekret për ndarjen e 20 miliardë dollarëve shtesë për zhvillimin e projektit F-47, ministri i mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar shkurtim të buxhetit ushtarak me 8 për qind.
Nga ana tjetër, përzgjedhja e Boeingut bart me vete shumë sfida, pasi kjo kompani ndodhet në periudhën më të vështirë që nga themelimi. Ka shkurtim punonjësish, aksidente të shumta në sektorin civil, dhe vonesa në dërgesat, si për ushtrinë ashtu edhe për kompanitë civile.
Marrja e këtij projekti nga Boeing nuk do të thotë vetëm presion nga Donald Trump, i cili kërkon që programi NGAD të jetë operativ deri në vitin 2030, por edhe presion nga Elon Musk, i cili promovon narrativën për kalimin drejt platformave pa pilot.
Pikërisht për këtë arsye, F-47 – i cili mban këtë emërtim si një homazh për presidentin e 47-të të SHBA-së – duhet të ketë kosto më të ulët zhvillimi sesa F-22, të kombinohet me dronë, dhe të jetë i përshtatshëm për dominim ajror në rajonin e Azisë.