Tribunali

Albinot Maloku

Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, që filluan të ndodhnin pas Luftës së Dytë Botërore në hapësirën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Me 25 maj të vitit 1993, pas shumë kërkesave e orvatjeve në kërkim të drejtësisë, duke u bazuar në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 827 mbi të cilën u themelua Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i njohur më pastaj si Gjykata e Hagës ose ICTY.

Për këtë mekanizëm, sivjet fillojnë edhe procedurat e mbylljes. Siç bëhet e ditur me 21 dhjetor do të organizohet edhe ceremonia zyrtare e mbylljes së Gjykatës së Hagës. Nga Haga kanë bërë të ditur se në fund të nëntorit do të marrin fundin të gjitha procedurat e shkallë së parë dhe shkallës së dytë të cilat janë në proces e që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Kjo për faktin se me 22 nëntor i shqiptohet vendimi i shkallës së parë të akuzuarit për krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës. Bëhet fjalë për ish-gjeneralin serb Ratko Mlladiq. Por me 29 nëntor është ankesa e fundit edhe për rastin “Perliq dhe të tjerët”. Puna e mbetur nga ICTY do të përmbyllet nga një mekanizëm tjetër ndërkombëtar për tribunalet penale, i themeluar nga Këshilli i Sigurimit. Ky mekanizëm kryesisht do të përqendrohet tek ankesat e parashtruara në rastin e Radovan Karaxhiqit, Vojsllav Sheshelit si dhe ri-përsëritja e gjykimit ndaj Jovica Stanishiqit dhe Franko Simatoviqit.

Dy vitet e fundit Gjykata e Hagës përmes konferencave të organizuara është munduar t’i thurë elozhe e lavde punës së vetë, e cila pa pikë dileme, është një organizëm i dështuar. Por për çfarë mund të mbahet mend Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë?

Ky vështrim është i vogël për të nxjerr në pah gjithë dështimet e këtij, siç e quajtëm më sipër, mekanizmi, në të cilin jo veç se është investuar pa masë, aq shumë, por edhe i cili është përdorur edhe politikisht nga instancat vendosëse ndërkombëtare. Pa dyshim dështimi më i madh i ICTY është rasti i Sllobodan Millosheviqit, ndaj të cilit u zgjatë çdo procedurë sa që ai, siç u raportua, vdiq duke pritur në qelitë e Sheviningenit. Millosheviqi e përpiu vëmendjen më të madhe të secilit, jo vetëm nga hapësirat ku bëmat e tij e ndryshuan deri në tragjedi jetën e miliona njerëzve në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, por edhe të gjithë atyre që e ndiqnin me vëmendje fundin e procesit. Drejtësia e Hagës dështoi.

Mbi 14 vite, gjoja u ndoqën nga ky tribunal Radovan Karaxhiqi e Ratko Mlladiqi e në fund që të dy u gjeten në Serbi, shëndosh e mirë, nën përkujdesjen e ushtrisë, policisë dhe shërbimit inteligjent serb. Haga dështoi edhe këtu. Si pasojë e kësaj stërzgjatje të procesit ndaj tyre, të gjithë janë në frikë se edhe këta mund të vdesin pa e parë dënimin e tyre.

Çfarë bëri tjetër ky mekanizëm ndërkombëtar i drejtësisë? Drejtësia e Gjykatës së Hagës ishte relativizuese. Teatër që nxirrte kriminelin e viktimën në bankën e të akuzuarit. Veç kësaj, në bankën e të akuzuarit duhet të ishin të gjithë pjesëmarrësit në luftërat e ish-Jugosllavisë. Shqiptarët, boshnjakët, kroatët, serbët, të gjithë duhej të gjendeshin si të akuzuar. Dështakja Carla Del Ponte, e pëlqente këtë lloj pune të kësaj gjykate. Gjenerali që u fsheh edhe nga vetja e vet, u balancua me gjeneralin që vullnetarisht iu dorëzua këtij mekanizmi të drejtësisë. Nxitësi politik i krimeve duhet ta kishte edhe politikanin që donte zgjidhjen pa luftë të problemeve të krijuara nga fashizmi i Millosheviqit. Haga i donte të gjithë se të gjithë ishin fajtor. Sulmuesi e i sulmuari ishin fajtor. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë është avangard i praktikës së padrejtësisë nga një mekanizëm që ishte menduar t’i shërbente drejtësisë.

Çfarë fitojë praktika ndërkombëtare e drejtësisë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë? Fitoi, as më pak e as më shumë, precedentin ma të keq, sesi nuk duhet të jetë një tribunal i tillë ndërkombëtar. Fitoi mësimin e eksperimentit më të dështuar të drejtësisë ndërkombëtare. Gjykata e Nurenbergut, e krijuar për të dënuar krimet e fashizmit nacist ishte kritikuar aq shumë sa në krahasim me Gjykatën e Hagës po del të jetë shumë më e suksesshme dhe që ka sjell satisfaksion në drejtësinë e kërkuar të kohës.

Dhe për fund, bazuar mbi këtë përvojë të kësaj drejtësie të ofruar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, mund të themi “mos u bëfsh me të qarë” drejtësia ndërkombëtare e tipit të këtillë, që për moto ka: “Të gjithë janë fajtorë!”.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...
  • Balotazhi

    Albinot Maloku Republika e Kosovës e përfundoi me sukses edhe një proces zgjedhor për nivelin lokal që përfshiu 38 komuna për të zgjedhur anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët...