Të paktën tre persona kanë humbur jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonin u përplas me një elefant në një park kombëtar në Ugandë, njoftuan autoritetet e këtij vendi afrikan.
Sipas policisë, edhe katër persona të tjerë mbetën të lënduar në incidentin që ndodhi të dielën në mbrëmje në Murchison Falls National Park, në veriperëndim të vendit.
Mediat raportojnë se në automjet ndodheshin shtatë zyrtarë të Administratës Tatimore të Ugandës (URA).
Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Ugandë, ndërsa rastet e përplasjeve midis njerëzve dhe kafshëve të egra po shtohen, pasi zgjerimi i vendbanimeve po depërton gjithnjë e më shumë në zonat e mbrojtura të jetës së egër.
Sipas policisë, automjeti po udhëtonte nga qyteti Arua drejt kryeqytetit Kampala kur ndodhi aksidenti.
Të lënduarit u dërguan fillimisht në një spital lokal dhe më pas në Kampala për trajtim të mëtejshëm. Autoritetet nuk kanë dhënë informacione mbi gjendjen e elefantit.
Autoriteti i Jetës së Egër të Ugandës u bëri thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit nëpër zonat e mbrojtura.
“Shoferëve që udhëtojnë nëpër zona të mbrojtura u rekomandohet fuqishëm të vozisin me kujdes, pasi kafshët e egra shpesh kalojnë rrugët”, thuhet në njoftim.










