Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se në Kosovë, do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara ku temeperaturat do të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Shkaku I këtyre temperaturave të larta që po mbretërojnë në vendin tonë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë disa këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia.
IKShPK-ja ka bërë thirrje që të qëndroni larg të nxehtit dhe të mbani shtëpinë të freksët.
Ky institut gjithashtu ka bërë thirrje që të mbani trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar dhe të përdorni veshje të lehta dhe të lirshme, kryesisht nga pambuku
Më poshtë i gjeni këshillat dhe rekomandimet e IKSHPK-së:
Veprimet që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga nxehtësia:
Qëndroni larg të nxehtit
Shmangni të dilni jashtë dhe të bëni aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës.
Qëndroni në hije. Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10-15 ˚C më të larta.
Kaloni 2-3 orë gjatë ditës në një vend të freskët.
Jini të vetëdijshëm për rrezikun.
Qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare rreth temperaturave të larta.
Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët
Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme.
Gjatë ditës kur temperaturat e jashtme janë më të larta se ato të brendshme, mbyllni dritaret dhe mbulojini ato me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit të hyjnë drejtpërdrejt brenda.
Fikni sa më shumë pajisje elektrike.