Temperaturat në Tokën e Shenjtë gjatë ditës po arrijnë deri në 47 gradë Celsius. Ministria e Shëndetësisë e Arabisë Saudite u ka bërë thirrje haxhinjve që të përdorin çadra për t’u mbrojtur nga nxehtësia. Këtë vit, rreth 1.7 milionë myslimanë kanë udhëtuar në Tokën e Shenjtë për të kryer ritualin e Haxhit.
Autoritetet saudite njoftuan se, pavarësisht temperaturave të larta që po regjistrohen edhe pse ende është muaj maji, gjendja shëndetësore e haxhinjve mbetet e qëndrueshme dhe nuk është evidentuar ndonjë kërcënim serioz për shëndetin publik.
Sipas të dhënave të Qendrës Meteorologjike të Arabisë Saudite, temperaturat në rajon lëvizin nga 41 deri në 47 gradë Celsius, duke qëndruar mbi mesataren sezonale.
Erërat që shkaktojnë pluhur në hapësira të hapura dhe në autostrada po ndikojnë gjithashtu negativisht tek haxhinjtë. Ekspertët paralajmërojnë se periudha më e rrezikshme e ditës është ndërmjet orës 14:00 dhe 16:00.
Ministria e Shëndetësisë e Arabisë Saudite u ka rekomanduar haxhinjve përdorimin e çadrave për të zvogëluar ndikimin e vapës. Sipas autoriteteve, përdorimi i çadrave mes haxhinjve ka arritur në rreth 80 për qind.
Për shkak se temperatura e asfaltit në Mekë arrin në disa zona deri në 70 gradë Celsius, autoritetet saudite kanë vënë në përdorim një teknologji të veçantë të veshjes së rrugëve me ngjyrë të bardhë, e cila ul temperaturën e sipërfaqes me 15 deri në 20 gradë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Abdulaziz Abdulbaki, bëri të ditur se 466 haxhinj janë trajtuar për goditje nga të nxehtit.
Ai shtoi se që nga fillimi i sezonit të Haxhit, shërbime shëndetësore janë ofruar për më shumë se 1.2 milionë persona, ndërsa janë trajtuar 83 raste urgjente dhe janë kryer 29 operacione të hapura në zemër.










