Temperatura deri në -30 gradë në Rusi, i ftohti përfshin edhe Poloninë dhe Holandën

I ftohti i acartë vijon të mbajë të pushtuar pjesën veriore të Evropës duke lëvizur drejt lindjes.

Rusi

Në Rusi bora nuk është aspak një surprizë në këtë periudhë të vitit, por gjatë kësaj jave kryeqyteti është mbuluar nga një valë rekord e të ftohtit.

Gjatë natës temperature ka shkuar në minus 30 gradë Celsius, 12 gradë më pak sesa parametrat normal.

Në shumë rajone me mijëra familje janë duke vuajtur nga mungesa e ngrohjes dhe ujit të nxehtë pasi sistemet komunale janë dëmtuar për shkak të temperaturave të ulëta.

Në qytetet më të prekura nga i ftohti nxënësve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi.

Poloni

Edhe në Poloni reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme në qarkullim. Rrugët janë të bllokuara dhe shërbimet e pastrimit të rrugëve nuk mund të vijojnë punën e tyre.

“Është e vështirë, këshilloj që të moshuarit të mos dalin jashtë, të mos lëvizin me paterica. Unë nuk po i përdor por për mua është e vështirë të eci, kam frikë, nuk jam një 20-vjeçare dhe nuk dua të rrëzohem”, u shpreh një qytetare, shkruan Euronews Albania.

Holandë

Holanda po ashtu është duke përjetuar një valë të acartë. Bora e cila ka arritur në 50-60 cm ka bllokuar shumë autostrada kyçe në vend, punonjësit e shërbimeve u përpoqën të pastronin borën, por era e fortë e ktheu përsëri në rrugë.

Për shkak të reshjeve të borës edhe udhëtimet ajrore janë ndërprerë.

Angli

Në Mbretërinë e Bashkuar një shtresë e trashë e borës ka mbuluar Yorkshire Dales në Anglinë Veriore ndërsa stuhia Darcy solli dëborë dhe akull.

Autoritetet kanë këshilluar të kihet kujdes në të gjithë vendin pasi kushte të tilla atmosferike do të vijojnë të paktën deri ditën e mërkurë.

Kategoritë
BotaLajme