Të punosh në Kosovë: Punëtorët ankohen se shefi i mashtroi dhe nuk po ua jep rrogat e disa muajve, po e presin gjithë ditën

Mbi 30 punonjës të një kompanie ndërtimore po ankohen se pronari i firmës i ka lënë pa paga, tash e gjashtë muaj. Ata pretendojnë se që nga muaji qershor, nuk i kanë marrë paratë për të cilat kanë punuar, derisa thonë se pronari nuk po iu lajmërohet në telefon

Punonjësit e kompanisë, kanë deklaruar për Express se punën e kanë ndërprerë pasi pronari (emër i njohur për redaksinë) nuk po i paguante me rregull, derisa shtojnë se disa prej tyre janë kthyer përsëri në punë, me shpresën se do t’i paguajë.

Jemi mbi 30 veta, po presim nga mëngjesi me ardhë pronari me na i dhënë paratë, por nuk ka ardhur. Nuk po e hap as telefonin, e kemi thirrur por nuk po përgjigjet. Punën e kemi ndërpre në muajin gusht, sepse nuk na paguajke. Disa janë kthy, po ua ka dhënë nga 100 e 200 euro”, ka deklaruar një prej punonjësve (emër i njohur për redaksinë).

Ai thotë se në këtë firmë ka punuar bashkë me babanë, ku shton se pronari ua ka mbi 3 mijë euro borxh.

“Në firmë kam punu me babën, 3 mijë e 170 euro nuk na i ka pagu. Edhe kolegëve të mi nuk ua ka dhënë paratë, dikujt ia ka borxh 2 mijë euro, dikujt më shumë e dikujt më pak”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se nuk kanë mundur t’i marrin paratë as për festën e Bajramit.

“Nuk na i ka dhënë as për Bajram, na ka thënë që na i jep, njëjtë e kemi pritë, nuk na është lajmëru”, ka thënë ai.

Express ka provuar disa herë të kontaktojë me pronarin e kompanisë, por kontakti me të ka qenë i pamundur meqenëse e ka pasur telefonin të fikur.

 

Kategoritë
LajmeVendi