Të nxehtit ekstrem në Evropë dëmtoi rrugët, çrregulloi trafikun dhe krijoi presion të madh mbi spitalet

Vala e të nxehtit që përfshiu Evropën Perëndimore është zhvendosur drejt pjesëve qendrore dhe lindore të kontinentit, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën e transportit, presion mbi spitalet dhe paralajmërime nga autoritetet.

Në Gjermani, autoritetet raportuan dëmtime në autostrada dhe anulime të trenave, ndërsa temperaturat të shtunën pritej të arrinin deri në 40 gradë Celsius. Në dy lokacione jashtë Berlinit, betoni në autostradën A2 është çarë, prandaj një pjesë e saj është dashur të mbyllet. Gazeta gjermane Bild raportoi se dëme të ngjashme janë regjistruar edhe në pjesë të tjera të vendit.

Deutsche Bahn dhe kompani të tjera hekurudhore u kanë rekomanduar qytetarëve që këtë fundjavë t’i shtyjnë të gjitha udhëtimet që nuk janë të domosdoshme.

“Infrastruktura e transportit në Gjermani këtë fundjavë është goditur rëndë nga temperaturat rekord”, thuhet në njoftim.

Në qytetin Dormagen, dhjetëra banorë të një shtëpie për të moshuar u evakuuan pasi temperatura brenda objektit arriti në 35 gradë Celsius.

Në Francë, temperaturat kanë nisur të bien në disa pjesë të vendit, por spitalet mbeten nën presion të madh për shkak të rasteve urgjente të lidhura me vapën, përfshirë infarktet, goditjet nga nxehtësia dhe dehidratimin. Administrata e spitaleve të Parisit, AP-HP, aktivizoi planin e krizës në të 38 spitalet e saj, pas pranimit të gati 3.000 pacientëve brenda 24 orëve, që është më shumë se një e treta mbi nivelin e zakonshëm. Një pjesë e madhe e të prekurve janë mbi 75 vjeç dhe kanë pasur nevojë për hospitalizim.

Për shkak të kushteve të rrezikshme, u shty edhe Parada e Krenarisë në Paris, ndërsa u anulua edhe një festival muzikor treditor.

Në Itali, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 18 qytete, përfshirë Venecian, Firencen, Bolonjën dhe Milanon, janë nën alarm të kuq.

Në Mbretërinë e Bashkuar u konfirmua se e premtja ishte dita më e nxehtë e qershorit që nga fillimi i matjeve, me një temperaturë të përkohshme prej 37.3 gradë Celsius në lindje të Anglisë.

Një analizë e re e grupit World Weather Attribution thotë se nxehtësia dhe lagështia rekord në Evropë këtë javë nuk do të ishin të mundshme pa ndryshimet klimatike.

Presidenti i negociatave klimatike të OKB-së, COP30, André Correa do Lago, tha se vala e të nxehtit e thekson edhe më shumë urgjencën për veprim dhe se vapa e jashtëzakonshme në Londër është një argument i fuqishëm se duhet vepruar sa më shpejt.

Kategoritë
BotaLajme