Të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore në veri i janë kthyer Kosovës

Sipas Ministrisë, të gjitha këto objekte deri më tani “ishin të uzurpuara nga strukturat ilegale paralele serbe”

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka bërë të ditur se nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike “Infrakos” të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Sipas Ministrisë, të gjitha këto objekte deri më tani “ishin të uzurpuara nga strukturat ilegale paralele serbe”.

“Ky aksion është realizuar në koordinim të plotë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe ndërmarrjen publike Infrakosi, dhe përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e rendit institucional, shtrirjen e autoritetit shtetëror dhe mbrojtjen e aseteve strategjike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës.

“Segmenti hekurudhor në veri është pjesë strategjike e Korridorit X, që lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit, duke rritur potencialin ekonomik dhe integrimin infrastrukturor të vendit”, thuhet tutje në njoftim.

MIT shton se me mbështetjen e kryeministrit, mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjshmërisë, rikthimin e pronës publike nën kontroll institucional dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne në çdo cep të Republikës së Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi