Etika diplomatike u shpërbë në selinë e OKB-së të premten, kur ambasadori i Izraelit dhe përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosura u përfshinë në një përplasje të ashpër verbale gjatë një seance publike.
Në një takim në Nju Jork me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, i dërguari izraelit Danny Danon kërkoi dorëheqjen e Pramila Patten, autore e raportit që për herë të parë e vendosi Izraelin në listën e zezë për shkelje të tilla, duke e akuzuar atë përanshmëri.
“Ju i jeni nënshtruar obsesionit të Sekretarit të Përgjithshëm për të shënjestruar Izraelin”, tha Danon, duke iu referuar kreut të OKB-së, Antonio Guterres.
Një tjetër zyrtare e OKB-së, Vanessa Frazier, e ndërpreu duke bërtitur se bëhej fjalë për një kundërshtim procedural. Ajo kërkoi që Danon të ndalonte sulmet personale dhe shtoi se raporti mbështetet në prova të verifikuara.
Danon iu përgjigj duke i thënë të heshtte.
“Ne jemi shtet anëtar, ndërsa ju punoni për OKB-në dhe tani do të heshtni. Tani do të heshtni… ju dhe raporti juaj i turpshëm”, tha ai.
Frazier, ish-ambasadore e Maltës në OKB, publikoi këtë javë raportin e saj në emër të Guterresit, ku paralajmëroi se grupet e kolonëve izraelitë mund të shtohen në listën globale të zezë për shkelje të të drejtave të fëmijëve. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehu shqetësim për atë që e quajti rritje tronditëse të shkeljeve ndaj fëmijëve palestinezë.
Vetë Izraeli tashmë ndodhet në të ashtuquajturën “listë e turpit” në anekset e raportit për shkak të shkeljeve të konstatuara.
Kur raporti i Patten u publikua muajin e kaluar, Danon e cilësoi atë si “pikën më të ulët të mundshme”, ndërsa Ministria e Jashtme e Izraelit premtoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Guterresin, i cili pritet të largohet nga posti në fund të vitit pas dhjetë vitesh në krye të OKB-së.
Të dy raportet vendosin në listën e zezë edhe armikun kryesor të Izraelit, Hamas.

















