Takimi me krerët e partive, Osmani u bëri thirrje që të arrihet pajtim sa më shpejt, për konstituim të Kuvendit brenda afatit kushtetues

Presidentja Osmani mbajti takime konsultative me liderët e Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, subjektet e tjera i takon ditëve në vijim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.

Sot, takimet e para janë mbajtur me Kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, z.Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Ramush Haradinaj.

Liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.

Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione.

Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi