Takimi i Kurtit me ambasadorët, diskutohet për rregulloren e BQK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë për të diskutuar mbi çështjet aktuale, me theks te Rregullorja e re e Bankës Qendrore për operacione me para të gatshme.

Zyra e Kryeministrit në një njoftim për media ka njoftuar se, Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, kanë sqaruar që rregullorja nuk ka cak ndalimin e dinarit apo të ndonjë valute tjetër, por synim ka rregullimin bankar dhe financiar në Kosovë.

“Kryeministri tha se as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia. Rreth 40 mijë qytetarё serbё në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa tё tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej njoftohet se Kurti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve vartëse që të adresojnë çdo shqetësim të ngritur, teksa ka theksuar se fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar dhe në mënyrë të paformalizuar

Kategoritë
LajmeVendi