Szijjarto akuzoi Kroacinë për përfitime nga lufta: “Nuk do të lejojmë që lakmia e kroatëve të përdoret kundër nesh”

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, në New York akuzoi Kroacinë për “përfitime nga lufta” për shkak të, siç tha ai, vendimit për të rritur çmimin e importit të naftës që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Shefi i diplomacisë hungareze këto komente i bëri në kontekstin e thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump që vendet evropiane të ndërpresin blerjen e energjisë ruse.

Para së gjithash, Szijjarto theksoi se përmes Naftësjellësit Adriatik nuk mund të arrijë mjaftueshëm naftë për Sllovakinë dhe Hungarinë, duke thënë se “Hungaria mund të importojë shumë më tepër gaz natyror dhe naftë nga Kroacia sesa që e lejon aktualisht infrastruktura energjetike e këtij vendi, pasi niveli i saj i zhvillimit është shumë prapa atij hungarez.”

“Niveli më i ulët i zhvillimit do të thotë që siguria energjetike e Hungarisë nuk mund të mbështetet te Kroacia. Nëse nafta mund të transportohet në Hungari vetëm përmes Kroacisë, atëherë sasia e naftës e nevojshme për furnizim të pandërprerë të Hungarisë dhe Sllovakisë nuk mund të transportohet me atë naftësjellës,” paralajmëroi ai.

Ai shtoi se më 17 shtator u krye një test i cili, sipas Szijjartos, “provoi se Naftësjellësi Adriatik thjesht nuk është i aftë për transport afatgjatë të sasive të mëdha të naftës, pa ndërprerje, nën presion të lartë.”

Megjithatë, pjesa veçanërisht interesante e fjalimit të tij ishte akuza e drejtuar ndaj qeverisë në Zagreb.

“Duhet pranuar se kroatët po përfitojnë nga ne. Kroatët po përfitojnë nga situata e luftës. Kroatët tani na faturojnë edhe një kompensim lufte, pasi që nga shpërthimi i luftës kroatët e kanë rritur çmimin e transportit tranzit në naftësjellës pesëfish mbi vlerat referente evropiane. Pra, kroatët po e shfrytëzojnë situatën e luftës dhe faktin se Hungarisë i duhet nafta që vjen përmes Naftësjellësit Adriatik, duke na faturuar kompensim lufte,” shtoi shefi i diplomacisë hungareze.

Ai shtoi gjithashtu se Hungaria “nuk është e gatshme të ekspozojë rezultatet e uljes së kostove të shërbimeve publike ndaj lakmisë fitimprurëse të kroatëve.”

“Nuk jemi të gatshëm të lejojmë që faturat e energjisë për popullin hungarez të rriten për shkak të fitimit shtesë të paguar kroatëve. Pra, kjo lakmi fitimi e kroatëve nuk duhet të përdoret kundër nesh. Dhe përsëris, nuk do të lejojmë që lakmia e kroatëve për fitim të na heqë rezultatet e uljes së kostove të shërbimeve publike në Hungari,” deklaroi Peter Szijjarto.

Kategoritë
BotaLajme