Qytetarët e Prishtinës vazhdimisht përballen me sfida në komunikacion, siç janë kolonat e pritjet e gjata në trafik. Por, një problem serioz i tyre vazhdon të mbetet edhe parkingu, për shkak të hapësirave të vogla të dedikuara për parking, përderisa numri i veturave vazhdon të rritet në vazhdimësi.
“Prishtina Parking”, u duk një zgjidhje e mirë për qytetarët, por më pas, ajo nuk qe e tillë.
Gjoba të shtrenjta- të lëshuara vend e pavend e shpesh herë pa asnjë arsyetim e deri tek vendosja e bllokuesve nëpër automjete ndodhnin shpesh në kryeqytet. E të gjitha këto i acaronin qytetarët të cilët në disa raste largonin gomën bashkë më bllokuesin e vendosur nga kompania dhe largoheshin nga aty. Krejt këto dënime vinin pasi kalonin disa minuta pa e paguar parkingun që bëhej përmes mesazhit apo blerjes së tiketës së parkingut.
E pas raportimeve të shumta të qytetarëve për këto parregullsi nga “Prishtina Parking”- një ide e ardhur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vendim mori edhe Gjykata Supreme.
Gjykata Supreme e Kosovës, ka vendosur t’i rrëzoj disa nene të Rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës, shkruan lajmi.net.
Nga Gjykata Supreme si dispozita të kundërligjshme dhe që cenojnë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, janë vlerësuar dispozitat e rregullores që përcaktojnë: kompetencën e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” të vendosë bllokada në vetura për shkak të mos pagesës së tarifës së parkingut; lirimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” nga përgjegjësia për kompensimin e dëmeve që eventualisht mund të shkaktohen nga personeli i saj në vend parkingjet publike; kompetencën e “Prishtina Parking” për bllokim, debllokim dhe bartje te veturave që nuk paguajnë tarifën e parkingut; kompetencën e “Prishtina Parking” për të menaxhuar me rastet e parkimit ilegal të veturave; kufizimin e kohës për shfrytëzimin e vend parkingjeve rezidenciale nga ana e vizitorëve dhe kufizimin e qasjes së qytetarëve në shërbime publike – vend-parkingje – duke lënë si mundësi të vetme pagesën përmes telefonit.
Sipas Supremes me këtë veprim janë shkelur liritë e lëvizjes dhe e drejta në pronë private.
Në lidhje me këtë vendim, lajmi.net ka dërguar pyetje tek kompania në fjalë, “Prishtinë Parking”, e të njëjtit kanë thënë se janë duke punuar në adresimin e të gjitha çështjeve të ngritura nga Gjykata Supreme.
Sipas “Prishtina Parkingut”, vendimi i Gjykatës ka shfuqizuar pjesërisht disa nene të Rregullores së ‘Prishtina Parking’, përfshirë dispozita që prekin instrumente të rëndësishme për funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes.
“Zbatimi i vendimeve të gjyqësorit është i padiskutueshëm për ne. Megjithatë, jemi të përkushtuar që gjatë këtij procesi të sigurojmë që ndërmarrja të mos cenohet, dhe që të mbrojmë të gjitha funksionet e saj esenciale. Në këtë kontekst, një nga prioritetet tona është që të mos preken punëtorët dhe të ruajmë numrin aktual të të punësuarve, veçanërisht në një kryeqytet që po rritet me shpejtësi si në aspektin e zonave të banueshme, ashtu edhe të fluksit të automjeteve që hyjnë dhe dalin çdo ditë”, kanë thënë nga “Prishtina Parking” për lajmi.net.
Nga kompania e lartcekur kanë thënë se ky është edhe një rast i mirë për ta që të adresojnë shumë çështje tjera që ndikojnë në rritjen e performancës, funksionalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë konsumatorëve.
“Jemi në proces të hartimit të Rregullores së re, e cila do të reflektojë këto qëllime dhe nevoja”, thuhet mes tjerash në përgjigje.
Vendimi i Gjykatës Supreme ka ardhur pasi me 10 mars, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, (GLPS) kishte dorëzuar padi për shfuqizimin e rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar nga Gjykata Supreme shfuqizimin e rregullores. /Lajmi.net/