Sulmi ndaj autobusit të shkollës në Pakistan, rritet në 8 numri i viktimave

Ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar fajësoi Indinë për sulmin terrorist që kishte në shënjestër autobusin e shkollës

Numri i të vdekurve u rrit në 8 pasi humbën jetën dy nxënës të tjerë që u plagosën në një sulm kamikaz në një autobus shkolle në provincën Baloçistan të Pakistanit, në kufirin me Afganistanin më 21 maj, raporton Anadolu.

Ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar dha deklaratë për mediat në spitalin ku u trajtuan nxënësit e plagosur në sulmin në qytetin Quetta, në Baloçistan.

Tarar fajësoi Indinë për sulmin terrorist që kishte në shënjestër autobusin e shkollës. “Baloçistan i qëndrueshëm, Pakistan i qëndrueshëm. Islamabadi është i vendosur t’i japë fund terrorizmit në Baloçistan”, tha Tarar.

Ai theksoi se njëri nga nxënësit që u plagos rëndë në sulm humbi jetën mbrëmë dhe tjetri këtë mëngjes ndërsa shtoi se numri i viktimave është rritur në 8, prej të cilëve 6 janë nxënës.

– Vazhdon trajtimi i 16 nxënësve të plagosur

Sipas informacionit që gazetari i AA-së ka marrë nga zyrtarët e spitalit në Quetta, 16 nxënës të plagosur në sulm janë ende duke marrë trajtim.

Tetë nga nxënësit e plagosur janë në gjendje të rëndë ndërsa disa janë të intubuar dhe po mbahen në njësinë e kujdesit intensiv.

Sipas qeverisë pakistaneze, një sulm kamikaz me autobombë u krye ndaj një autobusi shkolle pranë distriktit Khuzdar të provincës Baloçistan më 21 maj.

Kategoritë
BotaLajme