Sulmi izraelit në Rafah, arrin në 45 numri i viktimave

Ministria e Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi në Gazë bëri të ditur sot se numri i viktimave në Rafah, si pasojë e një sulmi izraelit të dielën, ka arritur në 45, gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite njoftoi se goditi një bazë ku strehoheshin pjesëtarë të lartë të grupit militant.

Sulmi u dënua nga udhëheqësit botërorë, të cilët kërkuan zbatimin e urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që Izraeli t’i japë fund sulmit në Rafah.

Shtetet e Bashkuara reaguan të hënën për sulmin, duke nxitur Izraelin që të marrë masa për t’i mbrojtur civilët, pas “pamjeve të tmerrshme” nga sulmi ushtarak në Rafah.

“Izraeli gëzon të drejtën t’i kundërvihet Hamasit dhe ne e kuptojmë që ky sulm ka vrarë dy terroristë të lartë të Hamasit që janë përgjegjës për sulmet kundër civilëve izraelitë”, tha një zëdhënës i Këshillit për Sigurinë Kombëtare. “Por, siç kemi theksuar, Izraeli duhet të marrë të gjitha masat që të mbrojë civilët”.

Kategoritë
BotaLajme