Suedia gati miratimin e vaksinës AstraZeneca për personat mbi 18-vjeç

Suedia njoftoi sot se do të lejojë vaksinën antiCOVID-19 të zhvilluar nga kompania farmaceutike AstraZeneca për të gjithë personat e moshës 18 vjeç e lart, duke cituar të dhëna të reja.

Muajin e kaluar, Agjencia suedeze e Shëndetit Publik tha se nuk do ta miratonte vaksinën për personat mbi 65-vjeç, duke përmendur të dhëna të pamjaftueshme nga kompania britanike-suedeze në lidhje me efikasitetin e vaksinës për këtë grup-moshë.

Disa vende të tjera kanë miratuar një qëndrim të ngjashëm.

“Tri studime të mëdha britanike sugjerojnë se vaksina e AstraZeneca ka një efekt të mirë mbrojtës edhe për personat e moshës 80-vjeç e lart dhe se efekti mbrojtës është i njëjtë me vaksinat e tjera të miratuara”, sqaroi agjencia në lidhje me vendimin e ri.

“Të gjitha vaksinat e ofruara janë shumë efikase dhe sipas studimeve kanë një efekt të mirë mbrojtës për të gjithë mbi 18-vjeç”, tha shefi i epidemiologjisë Anders Tegnell në një koment.

Suedia ka miratuar tashmë dy vaksina të tjera, atë të zhvilluar nga kompani amerikano-gjermane Pfizer/BioNTech dhe një tjetër nga firma amerikane Moderna.

Kategoritë
BotaLajme