Studim: 10.4% e studentëve të Universitetit të Prishtinës janë ngacmuar seksualisht nga profesorët

Një hulumtim ka treguar se 10.4% e studentëve janë ngacmuar seksualisht në hapësirat akademike të Universitetit të Prishtinës nga profesorët.

31 për qind e studentëve raportuan se kanë parë ose kanë dëgjuar për rastet e ngacmimeve seksuale në kampus. Në hulumtim janë përfshirë 1 mijë studentë, nga 19 mijë sa numëron gjithsej UP-ja.

Menaxhmenti i UP-së nuk i ka kumtuar këto të dhëna para studentëve dhe as nuk ka mbajtur konferencë për media për këtë çështje. Hulumtimi u përmend në një ngjarje të institucioneve e organizatave vendore e ndërkombëtare.

Anita Mjeku, nga Lëvizja Feministe Studentore, këtë e sheh si tentim për të fshehur të dhënat e hulumtimit.

“Hulumtimi ka dalë pak si fshehtas, pak si me i fshehë të dhënat, e janë duke e bërë atë që UP-ja e bën në vazhdimësi, me i ikë përgjegjësisë që e ka për mbrojtjen e vajzave dhe grave brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës…E çka është shqetësuese këtu, është që të dhënat që janë dalë, përveçse nuk dalin me u kumtua prej Universitetit të Prishtinës, tjetër është që tash unë mendoj që neve është dashur të na prezantohet edhe metoda se si është bërë hulumtimi”, ka thënë Mjeku.

Hulumtimi i cili është filluar nga menaxhmenti i UP-së për të krijuar politika afirmative mbështetëse për studentë, tani ka autorësinë e ish-prorektores, Njomza Llullaku, dhe jo të institucionit./Koha.net

Kategoritë
LajmeVendi