Në Turqi ka përfunduar takimi i mbajtur në Stamboll në nivelin e zv.ministrave të jashtëm Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë palëve evropiane në marrëveshjen bërthamore me Iranin të emërtuar si E3
Në Turqi ka përfunduar takimi i mbajtur në Stamboll në nivelin e zv.ministrave të jashtëm Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë palëve evropiane në marrëveshjen bërthamore me Iranin të emërtuar si E3, raporton Anadolu.
Në takimin që u mbajt në Konsullatën e Përgjithshme iraniane në Stamboll, Irani u përfaqësua nga zv.ministrat e Jashtëm iranianë Majid Takht Ravanchi dhe Kazem Gharibabadi.
Ende nuk është dhënë asnjë informacion nëse do të lëshohet një njoftim për media në lidhje me takimin në Stamboll.
Pas përfundimit të takimit, zv.ministri i Jashtëm iranian Gharibabadi bëri një deklaratë në platformën sociale X.
“Unë dhe dr. Takht Ravanchi pritëm zyrtarë politikë nga tre vende evropiane në Stamboll. Diskutuam statusin e fundit të bisedimeve të tërthorta bërthamore (që vazhdojnë me SHBA-në) dhe heqjen e sanksioneve si dhe shkëmbyem pikëpamjet. Irani dhe tre vendet evropiane janë të vendosura të vazhdojnë diplomacinë dhe ta përdorin atë në mënyrën më të mirë. Do të takohemi përsëri dhe do të vazhdojmë bisedimet kur të jetë e nevojshme”, tha Gharibabadi.
Një takim midis E3 dhe Iranit ishte planifikuar për 2 maj në Romë, por u anulua pasi negociatat SHBA-Iran u shtynë.
Irani është i shqetësuar se vendet evropiane do të përdorin të ashtuquajturin “mekanizmi i mosmarrëveshjes”, i cili mund të çojë në rivendosjen e sanksioneve të OKB-së që u hoqën nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar në vitin 2015.
Afati i mekanizmit në fjalë përfundon më 18 tetor. Nëse nuk mund të gjendet zgjidhje në lidhje me programin bërthamor të Iranit, parashikohet që vendet evropiane do të jenë në gjendje ta aktivizojnë mekanizmin para kësaj date.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në një artikull të botuar në gazetën franceze “Le Point” më 11 maj tha se do të kishte pasoja për “keqpërdorimin e mekanizmit të mosmarrëveshjes”. “Kjo situatë jo vetëm që mund të nënkuptojë fundin e rolit të Evropës në marrëveshje, por edhe përshkallëzim të tensioneve që mund të bëhen të pakthyeshme”, tha ai.
Araghchi u bëri thirrje vendeve evropiane të zhvillojnë bisedime bërthamore me Iranin.