Spanjë, bashkëthemeluesi i partisë së ekstremit të djathtë Vox qëllohet me armë në Madrid

Shërbimet e urgjencës thonë se plumbi ka kaluar nëpër nofullën e Alejo Vidal-Quadrasit dhe se ai është në gjendje të qëndrueshme

Alejo Vidal-Quadras, bashkëthemelues i partisë së ekstremit të djathtë Vox, u qëllua në fytyrë sot në Madrid dhe tani ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme, raportojnë mediat spanjolle, transmeton Anadolu.

Sipas të përditshmes El Pais, shërbimet e urgjencës të Madridit konfirmuan se një 78-vjeçar u trajtua për plagë me armë zjarri pasi u sulmua në mesditë në lagjen qendrore të Madridit Salamanca.

Mbikëqyrësja e shërbimeve të urgjencës të Madridit, Mariluz Sabin, ka thënë se plumbi ka kaluar nëpër nofullën e tij. Ajo ka deklaruar se ai është transferuar në një spital lokal, por është në gjendje të qëndrueshme.

Ndërsa hetimet e policisë janë duke vazhduar, El Pais tha se njeriu që qëlloi Vidal-Quadrasin kishte veshur helmetë motorike. Pasi ka qëlluar me armë, ai ka hipur në një motoçikletë që drejtonte dikush tjetër dhe të dy janë larguar nga vendi i krimit.

Vidal-Quadras ishte anëtar i Partisë Popullore për pjesën më të madhe të karrierës së tij politike, duke shërbyer si anëtar i Parlamentit Evropian nga 1999 deri në 2014 dhe si nënkryetar i parë i Parlamentit Evropian nga 2004 në 2007.

Në vitin 2014, ai njoftoi se po largohej nga partia kryesore konservatore për të bashkëthemeluar partinë e ekstremit të djathtë Vox.

Kategoritë
BotaLajme