Kryeministri i Maltës, Robert Abela, njoftoi të dielën se Malta do ta njohë Shtetin e Palestinës muajin e ardhshëm.
Ky njoftim u bë gjatë një ngjarjeje politike, ku Abela foli për çështje lokale dhe globale, me fokus të veçantë në krizën humanitare në Gaza, raporton Malta Today.
“Nuk mund t’i mbyllim sytë para kësaj tragjedie njerëzore që po përkeqësohet çdo ditë,” tha Abela, duke iu referuar bombardimeve brutale në Gaza, ku janë vrarë pothuajse 54.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Ai theksoi se ky hap është një përgjegjësi morale dhe se Palestina do të njihet pas konferencës së planifikuar për 20 qershor.
Abela u trondit veçanërisht nga vdekja e nëntë fëmijëve të mjekes pediatre palestineze, dr. Alaa Al-Najjar, të cilët u vranë të shtunën kur forcat izraelite bombarduan shtëpinë e tyre në Khan Younis, në jug të Gazës. Në atë sulm u plagos rëndë edhe bashkëshorti i saj, po ashtu mjek, ndërsa vetëm një nga fëmijët mbijetoi.
Malta është e gatshme të presë dr. Alaa Al-Najjar dhe familjen e saj, deklaroi Abela.
Më 28 maj 2024, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia e njohën zyrtarisht Shtetin e Palestinës. Kryeministrat e këtyre vendeve theksuan se kjo njohje është e domosdoshme për arritjen e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për mbështetjen e zgjidhjes me dy shtete. Këto vendime shkaktuan reagime të ashpra nga Izraeli, përfshirë tërheqjen e ambasadorëve nga Dublini dhe Oslo.
Sllovenia, më 4 qershor 2024, u bë shteti më i ri evropian që njohu Palestinën, pasi parlamenti e miratoi njëzëri vendimin. Ministrja e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e quajti këtë “një mesazh shprese dhe paqeje”, duke theksuar se vetëm zgjidhja me dy shtete mund të sjellë paqe të qëndrueshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do ta njohë Shtetin e Palestinës deri në qershor 2025, në kuadër të një konference ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete që do të organizohet bashkë me Arabinë Saudite. Macron theksoi se ky hap është pjesë e një iniciative më të gjerë për njohje reciproke mes Izraelit dhe vendeve arabe që ende nuk e kanë njohur Izraelin.