Sllovenia heq kontrollet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë

Qeveria e Sllovenisë ka marrë sot vendim për heqjen e kontrolleve të përkohshme kufitare në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.

Siç shpjegoi në një konferencë për media ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Danijel Lorbek, kontrolli kufitar do të hiqet në mesnatë, kur zyrtarët policorë do të tërhiqen nga pikat kufitare, do të ndryshojnë sinjalistikën rrugore për të mundësuar kalim të papenguar, do të largojnë të gjitha pajisjet dhe do të vazhdojnë punën në njësitë kryesore policore.

Ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Franci Matoz, tha se sipas këtij vendimi policia po largohet nga pikat kufitare, ndërsa kontrolli do të kryhet tani, sipas tij, “në forma të tjera dhe më të mira të punës policore”.

Ai theksoi se një qasje e tillë është e domosdoshme edhe për shkak të rritjes së ndjeshme të migrimit përgjatë rrugës migratore të Ballkanit Perëndimor gjatë këtij viti.

Matoz nënvizoi se heqja e kontrolleve nuk do ta zvogëlojë sigurinë, por përkundrazi do ta përmirësojë atë.

“Vlerësuam se është krejtësisht e panevojshme që policët të qëndrojnë në kabina në ish-pikat kufitare, sepse kalimet e paligjshme të kufirit pa dyshim ndodhin jashtë atyre pikave. Prandaj, qeveria e ka hequr këtë masë”, deklaroi ai.

Kategoritë
BotaLajme