Sllovakia solli ndryshime në Kushtetutë: Vështirësohet ndërrimi i gjinisë dhe birësimi i fëmijëve nga çiftet LGBT

Sllovakia ka ndryshuar kushtetutën e saj për të njohur vetëm dy gjini dhe për t’i dhënë përparësi sovranitetit kombëtar, sidomos në çështjet kulturore dhe etike, mbi marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Shumica minimale e nevojshme prej 90 deputetësh miratoi amendamentin të premten. Ndryshimet po ashtu përfshijnë në kushtetutë dispozitën që birësimi i fëmijëve të mbetet i kufizuar vetëm për çiftet e martuara dhe që kërkohet pëlqimi i prindërve për edukimin seksual.

Kryeministri Robert Fico e propozoi masën për t’iu kundërvënë presioneve nga Brukseli dhe për të vepruar si “mbrojtje ndaj eksperimenteve absurde liberale dhe progresive të drejtuara kundër familjes dhe prindërisë”, tha ai para deputetëve në parlament gjatë debatit.

Ndryshimet vijnë mes konfliktit të vazhdueshëm mes Ficos dhe Bashkimit Evropian, i cili e kritikon atë për shtypjen e shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare.

Amendamentet kanë shkaktuar shqetësim mes aktivistëve për të drejtat e njeriut. Këshilli i Evropës, organizata evropiane për të drejtat e njeriut, shprehu shqetësimin se kjo mund të çojë në “interpretim arbitrar, cenim të sigurisë juridike dhe shkelje të mundshme të detyrimeve ndërkombëtare të Sllovakisë” në lidhje me të drejtat e njeriut.

Ombudsmani sllovak për të drejtat e njeriut tha se amendamenti vendos një “precedent të rrezikshëm që mund të sjellë regres në standardet ekzistuese të të drejtave të njeriut.”

Koalicioni konservator i Ficos tashmë ka miratuar politika kufizuese lidhur me të drejtat LGBTQ. Një amendament kushtetues i vitit 2014 e kishte përcaktuar martesën si “një bashkësi unike mes një burri dhe një gruaje”, gjë që praktikisht i ndaloi martesat mes të njëjtit seks.

Këto lëvizje pasqyrojnë qëndrimet që ndajnë shumë njerëz në një komb prej 5,4 milionë banorësh. Çështja gjithashtu ka ndarë opozitën në Sllovaki, pasi Fico arriti ta “shtyjë përpara” votimin vetëm falë mbështetjes së deputetëve nga dy parti jashtë koalicionit të tij, sepse shumica parlamentare e koalicionit të tij nuk ishte e mjaftueshme.

Partia më e madhe opozitare në vend i hodhi poshtë amendamentet si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të minuar normat demokratike.

Lideri i Progresivës Sllovake, Michal Šimečka, u tha gazetarëve gjatë debatit parlamentar se këto ndryshime ishin një tjetër përpjekje e Ficos për të “ndryshuar vetë natyrën e shtetit nga një demokraci liberale në një regjim autoritar njëpartiak.”

 

Kategoritë
BotaLajme