Situata në veri, nis takimi i Osmanit me Lajçak

Ka nisur takimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit me të dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Lajçak këtë javë do të qëndrojë në Kosovë e Serbi në përpjekje për të shtensionuar situatën.

Vizita e Lajçak vjen pas mbledhjes së Këshillit Evropian dhe vjen me kërkesë të Josep Borrell.

“Pas Këshillit Evropian javën e kaluar, Përfaqësuesi i Lartë i ka kërkuar emisarit Lajçak të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi në ditët në vijim për të diskutuar rrugën përpara. Është një pjesë integrale e punës së një emisari të udhëtojë për të parë partnerët në terren. Emisari Lajçak është rregullisht në Beograd, Prishtinë, kryeqytetet e BE-së dhe vende të tjera, përfshirë jashtë BE-së, për të kryer punën e tij të përditshme për të çuar përpara Dialogun”, ka thënë gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një pëgjigje për Gazetën Online Reporteri.net.

BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

Kryeministri Kurti sot tha se Kosova është për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai u shpreh para gazetarëve dhe dy homologëve të tij, se ajo çka Kosova dëshiron është një zgjidhje evropiane, derisa kërkoi zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, pa vonesa dhe pa kushte.

“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne duam zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit për të cilën dëshirojmë të zbatohet në plotëni, pa vonesa dhe pa kushte. Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi edhe për BE-në të shtyjë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kurti para mediave /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi