Zyrtarët thonë se njohja nga ICESCO hap rrugën për bashkëpunim ndërkombëtar për të restauruar një nga monumentet më të vjetra islamike të Levantit
Autoritetet siriane kanë nisur restaurimin e Xhamisë historike Omari në qytetin jugor Daraa, pas përfshirjes së saj në listën e trashëgimisë të Organizatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Botës Islame (ICESCO), transmeton Anadolu.
Mohammad Nasrallah, kreu i Departamentit të Antikiteteve në Daraa, tha se kjo njohje vë në pah më shumë se 13 shekuj histori të xhamisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Antikiteteve dhe Muzeve tha se ky përcaktim forcon rëndësinë historike dhe kulturore të xhamisë dhe hap rrugën për bashkëpunim ndërkombëtar në dokumentim, restaurim dhe ekspertizë teknike, raportoi agjencia shtetërore SANA.
Autoritetet thanë se përfshirja në listë gjithashtu forcon mbrojtjen ligjore dhe teknike të një prej shembujve më të hershëm të arkitekturës islame në Levant.
Xhamia është ndërtuar gjatë sundimit të Kalifit Omer ibn el-Hatab në gjysmën e parë të shekullit të shtatë mbi mbetje arkeologjike romake dhe bizantine, duke reflektuar qytetërime të njëpasnjëshme në rajon, tha Nasrallah.
Ai tha se autoritetet e antikiteteve, në bashkëpunim me komunitetin lokal, kanë nisur një projekt të gjerë restaurimi dhe mirëmbajtjeje për strukturën prej bazalti të zi.
Projekti synon të riparojë dëmet në xhami dhe minaren e saj historike katrore, duke ruajtur autenticitetin arkitekturor të vendit në përputhje me standardet ndërkombëtare të konservimit.
Xhamia Omari ka një rëndësi të thellë historike dhe politike në Siri, pasi ka shërbyer si qendra e protestave të para kundër regjimit në Daraa në vitin 2011, të cilat më pas u përhapën në mbarë vendin.
Ajo pësoi dëme të mëdha gjatë sulmeve nga regjimi i mëparshëm, përfshirë shembjen e minares së saj historike katrore pas bombardimeve në vitin 2012, pas tërheqjes së forcave të Bashar al-Asadit nga zona përreth.
Asadi, sundimtari i Sirisë për gati 25 vjet, u largua në Rusi në dhjetor 2024, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili kishte sunduar vendin që nga viti 1963. Një administratë tranzitore e udhëhequr nga presidenti Ahmad al-Sharaa mori detyrën në janar 2025.









