Shaibani tha se Damasku gjatë muajve të fundit ka ndjekur një rrugë gjyqësore lidhur me të ndaluarit sirianë që aktualisht mbahen në Liban dhe shprehu shpresën se kjo do të çojë në lirimin ose transferimin e tyre
Ministri i Punëve të Jashtme i Sirisë, Asaad al-Shaibani, ka deklaruar se çështja e shtetasve sirianë të ndaluar në Liban mund të zgjidhet në të ardhmen e afërt, ndërsa zhvilloi bisedime me zyrtarë të lartë libanezë në Bejrut me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin libanez, Nawaf Salam, Shaibani tha se Damasku gjatë muajve të fundit ka ndjekur një rrugë gjyqësore lidhur me të ndaluarit sirianë që aktualisht mbahen në Liban dhe shprehu shpresën se kjo do të çojë në lirimin ose transferimin e tyre.
Ai shtoi se edhe çështja e të ndaluarve jo-sirianë, të cilët ishin arrestuar ose ndaluar për mbështetjen e kryengritjes siriane, po diskutohej me autoritetet libaneze “me respekt dhe hapje të plotë”, duke lënë të kuptohet se edhe kjo çështje mund të zgjidhet së shpejti pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit.
Komentet e Shaibanit erdhën gjatë vizitës së tij të dytë zyrtare në Liban që nga formimi i udhëheqjes së re të Sirisë, ku ai u takua me presidentin Joseph Aoun, kryeministrin Salam dhe kryeparlamentarin Nabih Berri.
Ministri sirian tha se vizita pasqyron mbështetjen e Damaskut për Libanin dhe angazhimin e tij për ndërtimin e asaj që ai e përshkroi si një marrëdhënie “të shëndetshme dhe të qëndrueshme” midis dy vendeve fqinje.
Gjatë vizitës, Siria dhe Libani nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një komiteti të përbashkët të lartë, me qëllim koordinimin e bashkëpunimit ndërmjet ministrive të të dy vendeve.
Salam, nga ana e tij, tha se komiteti do të shërbejë si një kornizë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në disa sektorë, përfshirë ndërlidhjen e rrjeteve të energjisë elektrike, transportin, shkëmbimet tregtare dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve midis dy vendeve.
Ai tha gjithashtu se të dyja palët kishin rënë dakord për krijimin e një këshilli të përbashkët të biznesit libanezo-sirian, i cili pritet të mbajë takimin e tij të parë në Damask.
Shaibani tha se korniza e sapokrijuar do të ofrojë gjithashtu një platformë për zgjerimin e partneriteteve ekonomike, tregtare dhe të investimeve, si dhe për koordinim më të gjerë në fushën e sigurisë.
Lidhur me çështjet rajonale, Shaibani përsëriti kundërshtimin e Sirisë ndaj sulmeve izraelite në Liban dhe tha se çdo kornizë politike ose negociatë që përfshin Izraelin mbetet një çështje sovrane e Libanit.
Megjithatë, ai theksoi se çdo diskutim i tillë duhet t’i japë përparësi stabilitetit afatgjatë të Libanit dhe të mos çojë në marrëveshje të nxituara që nuk arrijnë të ndalin luftën ose të sigurojnë paqe të qëndrueshme.










