Shqipëria përfshihet nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi

Në Tiranë dhe Durrës reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe probleme në qarkullimin e automjeteve, ndërkohë moti i keq ka prekur edhe qytete e tjera të Shqipërisë

Shqipëria është përfshirë në orët e fundit nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi, duke shkaktuar probleme në disa qytete të vendit, raporton Anadolu.

Në Tiranë dhe Durrës reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe probleme në qarkullimin e automjeteve, ndërkohë moti i keq ka prekur edhe qytete e tjera të Shqipërisë.

Instituti i Gjeoshkencave i Shqipërisë në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin.

“Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”, thuhet në njoftimin e institutit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale ka theksuar se reshje me intensitet të lartë shoqëruar me stuhi kanë përshkuar vendin duke sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar në rrjetet sociale se orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, sipas tij e ngjashme me stuhinë Ciaran.

Veliaj iu ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes në orët në vijim dhe ka shtuar se ekipet e bashkisë janë në terren për çdo emergjencë.

Kategoritë
BotaLajme