Shqipëria evakuon 15 persona nga Izraeli, tre prej tyre nga Kosova

Pesëmbëdhjetë shtetas shqiptarë, mes të cilëve tre nxënës nga Kosova që ndodheshin në Izrael në kohën kur Irani kreu sulm ndaj Izraelit, pritet të kthehen mbrëmjen e së hënës.

Mbrëmjen mes 13 dhe 14 prillit, Irani sulmoi Izraelin me dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë bëri të ditur se 15 qytetarët janë larguar nga Tel Avivi ditën e dielë dhe ndodhen në Qipro. Fluturimet e tyre drejt Shqipërisë u anuluan mëngjesin e së dielës për shkak të situatës së tensionuar në rajon.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës e Kosovës nuk ka ndonjë reagim zyrtar për evakuimin e tre kosovarëve.

Megjithatë, një ditë më herët, kjo ministri publikoi një numër të Ambasadës së Kosovës në Izrael për të gjithë shtetasit e Kosovës në këtë shtet që mund të kenë nevojë për ndihmë, pas sulmit të Iranit.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi