Emisari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, planifikon që javën e ardhshme në Oslo të takohet me ministrin iranian të Jashtëm, Abbas Araghchi, për të rilidhur bisedimet bërthamore, raporton Axios.
Burime thanë se data përfundimtare ende nuk është vendosur dhe asnjëra nga shtetet nuk e ka konfirmuar publikisht takimin. Por nëse ai realizohet, do të ishte biseda e parë direkte që kur presidenti Trump urdhëroi muajin e kaluar një sulm ushtarak të paprecedentë ndaj objekteve iraniane bërthamore.
“Aktualisht nuk kemi njoftime për ndonjë udhëtim,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për Axios. Misioni i Iranit pranë OKB-së refuzoi të deklarohej.
Witkoff dhe Araghchi kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë gjatë dhe pas luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, e cila përfundoi me armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA, sipas burimeve.
Zyrtarë të Omanit dhe Katarit gjithashtu u përfshinë në ndërmjetësimin mes dy palëve. Menjëherë pas luftës, iranianët hezituan të bashkëpunonin me SHBA-në, por ky qëndrim u zbut gradualisht. Kanali Izraelit 12 ishte i pari që raportoi për takimin e planifikuar.
Çështja kyçe në çdo bisedë të ardhshme do të jenë rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar me përqindje të lartë, që përfshijnë 400 kilogramë të pasuruar në 60%.
Zyrtarë izraelitë dhe amerikanë thonë se materiali dyshohet se është aktualisht “i mbyllur nga bota e jashtme” brenda tre objekteve bërthamore që u sulmuan gjatë operacioneve të përbashkëta: facilitetet e pasurimit në Natanz dhe Fordow, si dhe tunelët nëntokësorë në Isfahan.
Irani për momentin nuk mund të ketë qasje në rezervat për shkak të dëmeve nga sulmet, por ato mund të nxirren pasi të hiqen rrënojat.
Më herët këtë javë, Irani njoftoi se ka filluar zbatimin e ligjit të ri të miratuar nga parlamenti, i cili pezullon çdo bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA).
Araghchi shkroi të enjten se Irani mbetet i përkushtuar për Traktatin e Mos-shpërndarjes së Armëve Bërthamore dhe Marrëveshjen e Mbrojtjes së Sigurisë.
“Sipas legjislacionit të ri \[të parlamentit], nxitë nga sulmet e paligjshme të Izraelit dhe SHBA-së ndaj objekteve tona bërthamore, bashkëpunimi ynë me IAEA-në do të zhvillohet përmes Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit për arsye të dukshme sigurie,” shkroi ai.