Guvernatori Mikhail Vedernikov tha se incidenti nuk ka shkaktuar viktima
Një shpërthim ndodhi sot në shinat hekurudhore pranë stacionit Plusa në rajonin Pskov të Rusisë, njoftoi guvernatori i rajonit, duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar, transmeton Anadolu.
“Këtë mëngjes ndodhi një shpërthim në shinat e hekurudhës jo larg stacionit Plusa. Askush nuk është lënduar dhe nuk ka pasur dalje nga shinat të ndonjë treni”, shkroi Mikhail Vedernikov në platformën ruse të medias sociale “Max”.
Ai shtoi se shërbimet e emergjencës janë në vendngjarje dhe po punojnë për të siguruar zonën.
Ndërkohë, një aksident rrugor në një kryqëzim hekurudhor në rajonin Smolensk ka shkaktuar daljen nga shinat të gjashtë vagoneve që po transportonin karburant dhe një zjarr të madh, tha Ministria ruse e Situatave të Jashtëzakonshme.
Në vendngjarje kanë mbërritur trena për shuarjen e zjarrit dhe për rikuperim ndërsa flakët po shuhen me ndihmën e 40 zjarrfikësve dhe pajisjeve speciale, thuhet në njoftimin e ministrisë.