Shpërndahen serbët, përfundon e qetë protesta në afërsi të urës së Ibrit

Ka përfunduar protesta e serbëve në veri të vendit.

Kjo protestë ka përfunduar e qetë, ashtu siç edhe është zhvilluar përgjatë një ore.

Në këtë protestë morën pjesë një numër i madh i qytetarëve serbë, por edhe politikanë serbë dhe përfaqësues të institucioneve.

Në këtë proteste serbët patën edhe pankarta të ndryshme, ku ndër të tjerash kërkonin reagimin e BE-së dhe SHBA-së.

“Derisa BE dhe SHBA shkruajnë komunikata, neve po na dëbojnë”. “Nëse Kurti e hap urën, KFOR dhe QUINT do të jenë përgjegjës për të gjitha”, janë disa prej mbishkrimeve që serbët po mbajnë në pankarta gjatë protestës.

Zyrtarë të shumtë policor të Kosovës kanë qëndruar sot aty për të siguruar vendin dhe qytetarët, e njësoj kanë vepruar edhe nga KFOR-i dhe EULEX.

Madje pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it kanë qëndruar edhe në objektet e larta në afërsi të urës për t’u përkujdesur për sigurinë.

Ura e Ibrit që ndanë Mitrovicën e Veriore me atë Jugore parashihet ti nënshkruhet një analize testuese për kapacitete për qarkullimin e automjeteve dhe kamionëve.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka përzgjedhur kompaninë e cila sipas dosjes së tenderimit është “IPE-PROING” SH.P.K.

Kompania në fjalë do të bëjë “Përcaktimin e kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë , me ngarkesa testuese” .

Vlera e kësaj kontrate është 9 mijë e 640 euro. Dje aty janë parë edhe personat e kontraktuar në lidhje me këtë çështje. Madje për t’i parë nga afër zhvillimet në pjesën e urës së Ibrit qëndruan edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministri Elbert Krasniqi si dhe zv/ministri Hysen Durmishi.

Por pavarësisht kësaj sot aty nuk janë parë të kontraktuarit e kësaj çështje. Nuk dihet nëse si shkak i protestës ata nuk kanë dalë për të bërë përcaktimin e kapaciteteve, apo ka pasur ndonjë arsye tjetër./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi