Shkurtimi i ndihmave nga SHBA/ Studimi: Do shkaktojë 14 milionë të vdekur deri në 2030

Vendimi i presidentit Amerikan Donald Trump dhe administratës së tij për të shkurtuar ndihmën humanitare që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në mbarë globin mund të sjellë 14 milionë humbje jetë deri në vitin 2030 sipas asaj që thotë studimi I publikuar nga revista mjekësore britanike The Lancet. Një e treta e këtyre vdekjeve të parandalueshme pritet të jenë fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Në muajin mars, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se administrata Trump kishte anuluar më shumë se 80% të të gjitha programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID – një agjenci që ka luajtur rol kyç në ofrimin e ndihmës shëndetësore dhe humanitare në mbi 60 shtete.

Sipas Davide Rasella, bashkautor i raportit nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global, shkurtesat përbëjnë një tronditje të krahasueshme me një pandemi globale ose një konflikt të madh të armatosur për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. “Rrezikojmë të ndalojmë papritur – dhe madje të kthejmë pas – dy dekada përparim në fushën e shëndetësisë për popullatat më të prekshme,” tha ai në një deklaratë.

Bazuar në të dhëna nga 133 vende midis viteve 2001 dhe 2021, studiuesit vlerësojnë se financimi i USAID ka ndihmuar në parandalimin e 91 milionë vdekjeve në vendet në zhvillim. Por me shkurtesën drastike prej 83% të financimit – shifër e konfirmuar nga vetë qeveria amerikane – modeli projekton mbi 14 milionë vdekje të shmangshme deri në fund të dekadës, përfshirë 4.5 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Administrata Trump, e cila më parë ishte udhëhequr nga nisma për shkurtime të miliarderit Elon Musk, ka synuar të zvogëlojë aparatin federal dhe ka kritikuar USAID për mbështetjen e projekteve “me prirje liberale”.

Pavarësisht se Rubio theksoi se rreth 1,000 programe të mbetura do të “menaxhohen më efektivisht” përmes Departamentit të Shtetit dhe në konsultim me Kongresin, realiteti në terren është alarmues. Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara i tha BBC muajin e kaluar se qindra mijëra njerëz po vuajnë nga uria në kampet e refugjatëve në Kenia, pasi shkurtimet amerikane kanë ulur ndihmat ushqimore në nivelet më të ulëta ndonjëherë. Me SHBA-në që ka qenë për dekada donatori më i madh humanitar në botë, pasojat e këtij ndryshimi drastik në lidhje me politikat humanitare kanë gjasa të ndihen për shumë vite në vendet më të varfra të globit.

Kategoritë
BotaLajme