Shërbimi Ukrainas i Sigurisë (SSU) ka sjellë në pranga ditët e fundit një oficer të Forcës Ajrore të Ukrainës, i akuzuar se ka vepruar si bashkëpunëtor i GRU-së ruse dhe ka mbledhur të dhëna mbi bazat ajrore ku stacionohen avionët luftarakë F-16 dhe Mirage 2000.
Oficeri, me gradën major, ka shërbyer në një brigadë ajrore e përfshirë në interceptimin e raketave armiqe dhe dronëve, si dhe në mbështetjen ajrore të operacioneve tokësore ukrainase.
Sipas hetimeve, piloti ka dorëzuar te GRU-ja ruse informacionet e zbulimit për objektivat dhe misionet e planifikuara nga Forca Ajrore e Ukrainës.
“Në fazën e parë, ai ka përgatitur dhe dhënë të dhëna për sulme me raketa dhe dronë ndaj objekteve të Forcës Ajrore Ukrainase,” njoftoi SSU.
Hetuesit thonë se oficeri ka mbledhur koordinatat e avionëve, oraret e fluturimit dhe modelet e dislokimit. Po ashtu, ai ka hartuar një raport analitik për forcat ruse, duke sugjeruar taktika për sulme të kombinuara që do të rrisnin efikasitetin e sulmeve të ardhshme mbi bazat ajrore.
“Agjenti i GRU-së ka dërguar të dhëna personale të pilotëve ukrainas, numrat e bishtave të avionëve, armatimin brenda avionit dhe taktikat operative,” shtoi SSU.
Për të ruajtur sigurinë operacionale, i dyshuari përdorte kanale të koduara komunikimi dhe aplikacione të enkriptuara mesazhesh për t’u lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse.