Shërbimet evropiane të inteligjencës paralajmërojnë: Rusia po planifikon vrasjen e drejtuesve të kompanive të armëve

Shërbimet evropiane të inteligjencës paralajmërojnë: Rusia po planifikon vrasjen e drejtuesve të kompanive të armëve

Shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë paralajmëruar drejtues të kompanive evropiane të industrisë së mbrojtjes se Rusia po intensifikon përpjekjet për t’i vrarë ata, duke i shtyrë kompanitë të forcojnë masat e sigurisë personale, shkruan Financial Times.

Zyrtarë nga pesë agjenci evropiane të inteligjencës kanë bërë të ditur se në shënjestër janë drejtues të lartë të prodhuesve të mëdhenj të armëve, por edhe kompani më të vogla, veçanërisht ato që prodhojnë dronë dhe pjesë për to.

Disa drejtues kanë deklaruar se gjatë gjashtë muajve të fundit, me rekomandim të drejtpërdrejtë të shërbimeve shtetërore të sigurisë, kanë rritur mbrojtjen personale, ndërsa të tjerë angazhojnë truproja kur udhëtojnë jashtë vendit.

Sipas burimeve të inteligjencës, këto paralajmërime janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Kremlinit për të zgjeruar sabotazhet dhe operacionet hibride në mbarë Evropën, në një kohë kur lufta në Ukrainë ka ngecur në front dhe Rusia përballet me probleme ekonomike në vend.

Shërbimet evropiane paralajmërojnë se sulmet ndaj civilëve, të cilat dikur konsideroheshin tabu edhe brenda strukturave ruse të inteligjencës, po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e planeve të Moskës.

Shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme, BfV, ka shtuar kontaktet me drejtuesit dhe stafin e kompanive të industrisë së mbrojtjes. Ndër rekomandimet është edhe angazhimi i ekipeve private për mbrojtje të afërt.

“Rusia po merret me planifikim të qëllimshëm të akteve të dhunshme kundër individëve, përmes aktorëve shtetërorë ose të kontrolluar nga shteti”, deklaroi kreu i BfV-së, Sinan Selen, para deputetëve të Bundestagut gjerman.

Ai shtoi se po ndryshojnë objektivat, metodat dhe personat e përfshirë, ndërsa po rritet përdorimi i rrjeteve të krimit të organizuar.

Shërbimet e sigurisë kanë arritur të zbulojnë dhe pengojnë disa plane aktive, ndërsa në raste të tjera është vërejtur përcjellje e dyshimtë e lëvizjeve dhe rutinës ditore të drejtuesve pranë shtëpive dhe vendeve të punës.

Sipas burimeve të inteligjencës, pjesa më e madhe e operacioneve të mundshme të atentateve lidhet me shërbimin rus të inteligjencës ushtarake GRU. Oficerët e tij raportohet se po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me grupe kriminale dhe rrjete që veprojnë përtej kufijve.

Detyra të ndryshme, si mbikëqyrja, logjistika, planifikimi dhe ekzekutimi, u shpërndahen operativëve ose celulave të veçanta, duke shënuar një ndryshim nga metoda e mëparshme, kur rekrutoheshin individë përmes internetit për një detyrë të vetme.

Zyrtarët paralajmërojnë se shumë operacione ruse vazhdojnë të jenë të organizuara dobët dhe relativisht të lehta për t’u penguar, por përmasat e kërcënimit e bëjnë më të vështirë dallimin mes aktivitetit armiqësor dhe sjelljes së padëmshme.

Në gusht, autoritetet suedeze arrestuan dy turistë të rinj rusë që po qëndronin pranë pronës së drejtorit ekzekutiv të Saab, Micael Johansson, por të dy u liruan pak më vonë.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës, Moska mund ta arrijë një pjesë të qëllimit edhe pa kryer realisht një vrasje.

“Qëllimi kryesor nga këndvështrimi rus vazhdon të jetë psikologjik”, tha një zyrtar, duke shpjeguar se synimi është që drejtuesit e kompanive të rishqyrtojnë lidhjet e tyre biznesore me Ukrainën nga frika se mund të bëhen objektiva.

Kompanitë e sigurisë po raportojnë rritje të kërkesës për këshillim nga sektorët e mbrojtjes, energjisë dhe infrastrukturës kritike.

Shqetësimi u rrit ndjeshëm që në fillim të vitit 2024, kur shërbimet amerikane dhe gjermane zbuluan një plan të dyshuar rus për vrasjen e drejtorit ekzekutiv të Rheinmetall, Armin Papperger.

Papperger, i njohur për mbështetjen e hapur ndaj dërgimit të armëve në Ukrainë, ka deklaruar se tashmë mbrohet 24 orë në ditë nga truproja private dhe policia.

Kategoritë
BotaLajme