“Ashtu siç nuk njohin kufij ndryshimet klimatike, po ashtu shtrihen përtej kufijve edhe efektet e pothuajse secilit problem tjetër mjedisor”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është shënuar Dita e Tokës, raporton Anadolu.
Përfaqësues të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare morën pjesë në një aksion simbolik bashkë me fëmijë, në shënimin e kësaj dite.
Për të promovuar një mjedis pa mbeturina dhe potencialin e ekonomisë qarkore, në këtë ngjarje u përfshi një strukturë e papërfunduar e lojërave, e cila u krijua duke i ricikluar dhe i rindërtuar njësitë njëpërdorimëshe plastike.
Përmes një përvoje interaktive dhe argëtuese të mësimit, dhjetëra fëmijë përdorën parimet e dizajnit të ndërprerë (disruptive design) për ta finalizuar strukturën në fjalë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën se saj para të pranishmëve, tha se nëse vitet e mëparshme temat e çështjeve mjedisore shiheshin si të dorës së dytë, tani nga viti në vit ato po bëhen gjithnjë e më prezente në diskursin publik.
Në këtë drejtim, Osmani tha se po kontribuon mobilizimi dhe angazhimi i gjithanshëm për të ngritur vetëdijen për këto çështje.
“Në disa hulumtime që janë bërë në drejtim të identifikimit të sfidave më të mëdha mjedisore në rrafshin global ka rezultuar që problemet më të mëdha ndërlidhen me ndryshimet klimatike, me ndotjen e ajrit, me trajtimin e mbeturinave gjë që po bëhet edhe sot, shpyllëzimin dhe ndotjen e ujit. Të gjitha këto në një mënyrë apo tjetrën e prekin edhe vendin tonë. Ashtu siç nuk njohin kufij ndryshimet klimatike, po ashtu shtrihen përtej kufijve edhe efektet e pothuajse secilit problem tjetër mjedisor”, theksoi Osmani.
Ajo tha se në trajtimin e këtyre çështjeve qasja individuale nuk mjafton dhe duhet bashkëpunim si dhe koordinim i rregullt në nivel nacional e rajonal por edhe në nivel global.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se zhvillimet e pasluftës në Kosovë kanë qenë shumë të shpejta, me një potencial të madh njerëzor dhe financiar me qytetarët që me padurim donin të ktheheshin në vendin e tyre, por nga ana tjetër me institucione të dobëta të cilat nuk mundën mirë ta përcillnin këtë zhvillim qoftë urban qoftë ekonomik.
Aliu tha se Kosova tani ka marrë rrugën e duhur ku çështjet mjedisore të jenë kryefjalë e zhvillimeve në vend, duke u orientuar drejtë një zhvillimi të qëndrueshëm.
“Nuk mund të ketë ndryshime mjedisore nëse do t’i kemi të parcializuara veprimet tona, por ato duhet të jenë të koordinuara mirë dhe të orientuara drejtë një qëndrueshmërie të përgjithshme në fushën e zhvillimit ekonomik”, theksoi Aliu.
Ai tha se Kosova nuk ka qasje në fondet e Kombeve të Bashkuara. “Kjo e hendikepon jashtëzakonisht vendin tonë, e për të cilën jemi duke lobuar në mënyrë shumë intensive që të mund të kemi qasje qoftë në politikat e zbutjes së ndikimeve klimatike qoftë në përshtatje”, tha Aliu.
Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën më 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit. Ajo për herë të parë është festuar në vitin 1970.
Komunitete të shumta, krahas kësaj, festojnë edhe Javën e Tokës, e që përfshin një javë të tërë veprimtarish të përqendruara në çështjet mjedisore me të cilat përballet bota.
