Shefi i OKB-së Izraeli lejon vetëm një “lugë çaji ndihme” në Gaza mes “niveleve mizore të vdekjes dhe shkatërrimit

Guterres tha se megjithëse “pothuajse 400 kamionë u liruan për të hyrë në Gaza përmes vendkalimit Kareem Shalom”, vetëm një pjesë e kësaj ndihme ka arritur tek ata që kanë nevojë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dhënë alarmin për “nivelet mizore të vdekjes dhe shkatërrimit” nga Izraeli në Gaza, duke theksuar se ndihma e fundit “tash është një lugë çaji ndihma”, transmeton Anadolu.

“Palestinezët në Gaza po durojnë atë që mund të jetë faza më mizore e këtij konflikti mizor”, tha Guterres gjatë një konference për media në selinë e OKB-së në New Jork.

Duke kritikuar bllokadën e zgjatur të ndihmës humanitare nga Izraeli, Guterres tha se për “pothuajse 80 ditë, Izraeli bllokoi hyrjen e ndihmave ndërkombëtare të shpëtimit” dhe shtoi se “më në fund, një rrjedhë ndihme ka kaluar”.

Guterres tha se megjithëse “pothuajse 400 kamionë u liruan për të hyrë në Gaza përmes vendkalimit Kareem Shalom”, vetëm një pjesë e kësaj ndihme ka arritur tek ata që kanë nevojë.

“Sidoqoftë, e gjithë ndihma e autorizuar deri më tani përbën në një lugë çaji ndihme kur kërkohet një vërshim ndihme”, tha ai.

Duke përshkruar pengesat në terren, Guterres tha: “Nevojat janë masive dhe pengesat janë marramendëse. Kuota të rrepta po vendosen për mallrat që shpërndajmë, së bashku me procedurat e panevojshme të vonesës”.

Më tej, ai theksoi se Izraeli po kufizon furnizimet jetike, përfshirë “karburantin, strehimin, gazin e gatimit dhe furnizimet për pastrimin e ujit”.

Guterres gjithashtu përsëriti kërkesën e OKB-së për sigurinë operacionale.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë që masat zbutëse të sigurisë të jenë në fuqi për kolonat tona. Ndërkohë, ofensiva ushtarake izraelite po intensifikohet me nivele mizore vdekjesh dhe shkatërrimesh”, tha ai.

Shefi i OKB-së gjithashtu paralajmëroi për shkallën e zhvendosjes së palestinezëve brenda Gazës.

“Sot, 80 për qind e Gazës është përcaktuar ose zonë e militarizuar nga Izraeli ose zonë ku njerëzit janë urdhëruar të largohen. Me fjalë të tjera, katër të pestat e territorit të Gazës është një zonë e ndaluar për banorët e Gazës”, theksoi ai.

Ai ripohoi qëndrimin e OKB-së kundër çdo mekanizmi alternativ të ofrimit të ndihmës për Gazën.

“OKB-ja ka qenë e qartë. Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë skemë që nuk respekton ligjin ndërkombëtar dhe parimet humanitare të humanizmit, paanshmërisë, pavarësisë dhe neutralitetit”, u shpreh ai.

Kategoritë
BotaLajme