Shefi i Hamasit thirrje Biden-it të tërheqë “Marrëveshjen e Shekullit”

“Marrëveshja e Shekullit” e Trump-it bën thirrje për formimin e një shteti palestinez në formë të arkipelagut.

Shefi i Hamasit Ismail Haniyeh i ka bërë thirrje presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së Joe Biden të tërheqë të ashtuquajturën “marrëveshje të shekullit” të presidentit në largim Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Haniyeh përmes një deklarate kërkoi nga administrata e Biden-it të shfuqizojë njohjen nga SHBA të Kudsit si kryeqyteti i Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës në qytetin e shenjtë.

“Marrëveshja e shekullit” e Trump-it i referohet Kudsit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.

Plani, i cili ka shkaktuar një stuhi dënimesh nga palestinezët, kërkon krijimin e një shteti palestinez në formën të arkipelagut të lidhur me ura dhe tunele.

Haniyeh kërkoi nga Biden “të korrigjojë rrugën e politikave të padrejta të SHBA-së ndaj popullit tonë (palestinez), i cili e bëri SHBA-në partnere (të Izraelit) në shtypje dhe agresion”.

Udhëheqësi i Hamasit vazhdoi duke i bërë thirrje administratës së re të SHBA-së për “respektimin e vullnetit të popullit palestinez dhe zgjedhjet e tyre demokratike…dhe të përmbahen nga politika e presionit mbi popujt dhe vendet e rajonit për të normalizuar marrëdhëniet me pushtuesin (izraelit)”.

Ashtu siç ishte parashikuar nga mediat kryesore amerikane, 77-vjeçari Biden u shpall si Presidenti i 46-të i SHBA-së pas fitores ndaj Trump-it.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet