SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Sanksionet përfshijnë 50 filiale në sektorë kryesorë, përfshirë energjinë, minierat dhe shërbimet financiare

Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj një konglomerati të madh iranian dhe ministrit të Inteligjencës së vendit, njoftoi Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

OFAC sanksionoi ministrin Mahmoud Alavi pasi SHBA tha se ministria ka luajtur rol qendror në abuzimet e të drejtave të njeriut të regjimit kundër qytetarëve.

Hapi i SHBA-së shënjestroi gjithashtu Fondacionin Mostazafan të Revolucionit Islamik, i njohur gjithashtu si Bonyad Mostazafan, udhëheqjen e tij dhe 50 filiale të tij në sektorët kryesorë iranianë si energjia, minierat, logjistika, teknologjia e informacionit dhe shërbimet financiare.

“Udhëheqësi Suprem i Iranit përdor Bonyad Mostazafanin për të shpërblyer aleatët e tij nën pretendimin e bamirësisë”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së Steven Mnuchin në deklaratën zyrtare.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shënjestrojnë zyrtarët kryesorë dhe burimet e gjenerimit të të ardhurave që mundësojnë shtypjen e vazhdueshme të regjimit ndaj njerëzve të vet”, ka shtuar ai.

OFAC tha se e gjithë prona e të sanksionuarve do të bllokohet dhe do t’i raportohet qeverisë amerikane, duke shtuar se ata që merren me transaksione me individët dhe subjektet e vendosura në listën e zezë gjithashtu mund të ekspozohen ndaj sanksioneve.

Kategoritë
BotaLajme